Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me burg të përjetshëm për Aldo Baren, ish- kreun e bandës famëkeqe të Lushnjës. Ky vendim vjen 10 vite pas vendimit të marrë nga gjykata e Apelit në 2012-tën. Bare bëri rekurs të vendimit duke kërkuar lirinë. Prej vitesh ai vuan dënimin në burgun e sigurisë së Lartë në Peqin.
“U vendos: Lënia në fuqi e vendimit nr.49 datë 16/07/2012 i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës së Lartë.
Kush është Aldo Bare?
Kush është Alfred Shkurti, ish-speciali i forcave RENEA, ose i njohur ndryshe si Aldo Bare, hyri në botën e krimit në vitin 1997, pasi atij i vrau vëllanë banda e Artur Dajës, gjatë një përleshje me armë zjarri. Pas vrasjes se Ramadan Shkurtit, në Lushnjë nisi të operonte banda e Aldo Bares së cilës Drejtësia i numëron më shumë se njëzet vrasje, dhjetëra plagosje dhe vënie gjobash.
Kaq mjaftoi që vrasjet më pas të lidheshin zinxhir dhe natyrisht Bare nuk ishte i vetëm në gjithë këtë betejë personale. Sipas prokurorisë, ish-speciali kishte arritur të rekrutonte në bandën e drejtuar prej tij Ilir Stërgun, Afrim Hoxhën, Arben e Enver Boriçin, Enver Dondollakun, të gjithë shokë, miq e të afërm të “kokës” së grupit, Aldo Bare dhe vëllait të tij Ramadan Shkurti.
Më pas kësaj bande iu bashkuan edhe: Maksim Çela, Erion Cici, Dritan Vila, Leonard Prifti, dhe shumë të rinj të tjerë.
Me mbledhjen e këtyre “ushtarëve” përreth “kryetarit”, siç e quanin në biseda telefonike Aldo Baren, filluan edhe ekzekutimet në qytetin e Lushnjës ndaj Artur Dajës, shokëve, miqve e familjarëve të tij, teksa në kurriz të kësaj bande janë të paktën 20 vrasje, plagosje, rrëmbime dhe gjoba.