Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë vijuar kontrollet antikanabis në territorin e fshatit Mnelë e Vogël, si dhe veprimet procedurale për përcaktimin e plotë të autorësisë së kultivimit të fidanëve narkotikë cannabis sativa, të asgjësuara në këtë fshat, si rezultat i fazës së parë të operacionit policor antidrogë të koduar “Mnela”.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale, u bë i mundur identifikimi i 3 nga autorëve të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, nga të cilët u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga njëri prej tyre, shtetasi M. V., 52 vjeç, u shpall në kërkim shtetasi N. V., 60 vjeç, si dhe u identifikua një bashkautor tjetër, gjenealitetet e të cilit nuk bëhen me dije, për shkak të konfidencialitetit të hetimeve.
Nga hetimet dyshohet se këta 3 shtetas, në bashkëpunim me shtetasin N. Gj. (të shpallur në kërkim ditën e djeshme), janë autorë të kultivimit të 656 fidanëve narkotikë cannabis sativa, në fshatin Mnelë e Vogël. 583 fidanë u gjetën ditën e djeshme, ndërsa 73 fidanë të tjerë u gjetën në të njëjtin fshat, si rezultat i vijimit të operacionit antidrogë “Mnela”. Fidanët narkotikë u asgjësuan nëpërmjet djegies, ndërsa një pjesë e vogël e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Operacioni policor antidrogë i koduar “Mnela”, vijon për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për përcaktimin e plotë të autorësisë së kultivimit të fidanëve narkotikë, në fshatin Mnelë e Vogël.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.