Sapo ka përfunduar seanca parë e zhvillimit të procedurës “Shitje me anand të aksioneve të Klubit të Futbbollit “Vllaznia” sh.a. në masën 100%.”.
Në këtë fazë ishin prezent të gjithë anëtaret e Njësise së Ankandit dhe subjektet e interesuara personalisht ose me përfaqësues.
Dorëzimi i zarfave të dokumentacionit të ofertuesve u administrua nga Sektori i Protokollit në Bashkinë Shkodër në zbatim të afatit të përcaktuar: Data 11.05.2021 ora 10.00.
Në këtë seancë Njësia e Ankandit hapi dhe lexoi ofertat, në përputhje me nenin 35 të ligjit “Për ankandin publik” dhe me përcaktimet në rregullat e ankandit publik si dhe, bëri administrimin e dokumentacionit të subjekteve ofertues pjesëmarrës.
Të gjitha veprimet u shënuan në proçesverbalin përkatës të zhvillimit të ankandit ku u pasqyruan të gjitha dokumentet që shoqërojnë ofertën për secilin subjekt ofertues.
Në procedurën “Shitje me ankand të aksioneve të Klubit të Futbollit “Vllaznia” sh.a. në masën 100%”, morën pjesë 3 subjekte ofertuese.
Njësia e Ankandit vuri në dijeni përfaqësuesit e subjekteve ofertuese që më datë 19.05.2021, ora 10.00, do t’u komunikohet rezultati i vlerësimit të dokumentacionit ligjor dhe ofertës ekonomike.