Enkelejd Alibeaj ka dhënë sot një deklaratë për media pas përfundimit të mbledhjes me deputetët. Ai ka deklaruar se mbledhjet e tilla do jenë më të shpeshta tashmë që PD ka hyrë në fushatë për zgjedhjet e 14 majit.
Alibeaj ka sqaruar se në mbledhje janë vendosur detyrat e grupeve të punës të ngritura në lidhje me fushatën.
”Kjo ishte një mbledhje e radhës dhe do të jenë më të shpeshta, tashmë që jemi futur në fushatë. Diskutimet janë të fokusuara në aspektin organizativ, deri në datën 20 kemi vendosur të përmbyllet procesi i miratimit të kandidaturave për Këshilla bashkiakë. Janë vendosur detyra përkatëse të grupit të punës”, tha ai.
Në lidhje me vendimin e bërë publik dy ditë më parë nga kreu i KQZ Ilirjan Celibashi se duhet firma e Lulzim Bashës si kryetar i regjistruar i kësaj partie, për regjistrimin e PD për zgjedhjet lokale, Alibeaj tha se do ndiqen të gjitha procedurat dhe se dokumentacioni i dorëzuar në KQZ është në përputhje të plotë me legjislacionin.
“PD do ndjekë procedurat, dokumentacioni i dorëzuar në KQZ është në përputhje të plotë me legjislacionin. PD do të regjistrohet e do jetë pjesë në zgjedhje”, ka deklaruar ai.