Kryetari i Shtetit, Ilir Meta ka bërë të ditur sot se do të jetë i pranishëm në mbledhjen e Komisionit Hetimor të ngritur nga maxhoranca, ku kërkohet shkarkimi i tij. Në një postim në Facebook, Meta i kthen përgjigje gazetarëve, duke thënë se ai është shembulli i bashkëpunimit institucional.
“Të dashur miqtë e mi gazetarë, Më “çmendët” me sms tuaja, si asnjëherë tjetër! Po ç’është kjo pyetje kaq absurde që më bëni të gjithë: A do shkoj tek Parlamenti?! Së pari, Presidentit si Kryetar i Shtetit, i takon të jetë shembull i bashkëpunimit institucional. Dhe besoj se në këto dy vite kam bërë gjithçka për vendosur këtë bashkëpunim, në respekt të plotë të Kushtetutës, shtetit ligjor dhe interesit publik. Së dyti, unë mezi pres të kthehem tek Parlamenti”, shkruan ai.