Vllaznia e nisi punën për sezonin e ri nga konfirmimi i trajnerit Elvis Plori, i cili është ndihmësi i parë i trajnerit Tomas Brdariç, që u konfirmuar shumë më vonë. Gjithsesi stafi teknik nuk i ka shpëtuar ndryshimit për sezonin e ri. Pas disa vitesh në stolin e ekipit shkodran është larguar nga posti i zv.trajnerit një nga emrat e mirënjohur të futbollit shkodran të këtyre viteve të fundit, Safet Osja.
Ish-mesfushori kampion e fitues i Kupës së Shqipërisë si futbollist e së fundmi si zv.trajner i Vllaznisë e ka lënë këtë post, pasi i ka përfunduar kontrata me ekipin kuqeblu. Nga sa mësohet, ka munguar dëshira e rinovimit mes palëve. Në një intervistë për “Panorama Sport”, shkodrani sqaron gjithçka për largimin.
Safet, është mësuar se nuk do të jeni më pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë. Si është e vërteta?
Mua më ka përfunduar kontrata dhe jemi ulur me drejtuesit e klubit për të diskutuar për një gjë të tillë. Pas këtyre bisedimeve nuk kam pasur një përgjigje.
Arsyeja?
Për këtë, më mirë është që të pyetet sponsori Xhaferi.
E kishit menduar se do të largoheshit pas një sezoni të tillë?
Ishte një sezon që nuk do të më harrohet lehtë. Kemi bërë më të mirën e mundshme gjatë tij dhe më vjen keq që nuk do të jem pjesë e kësaj skuadre për të shijuar ballafaqimet europiane edhe si trajner.
Për çfarë ju vjen keq më shumë?
Nuk jam pishman për asgjë. Arritëm që të gjithë së bashku të bënim më të mirën që Vllaznia të shkoj aty ku i takon kësaj skuadre. Nuk më vjen keq për asgjë, pasi si futbollist dhe gjithashtu si zv.trajner e kam lënë futbollin në momentet më të mira të Vllznisë.
E kam lënë Vllazninë kur isha lojtar, pasi kishte fituar Kupën e Shqipërisë. Ndërsa, tani e lashë si zv.trajner kur Vllaznia fitoi sërish Kupën e Shqipërisë. Por, si pjesë e stafit do të më vinte mirë që të isha pjesë e Vllaznisë në kompeticionet europiane.
Do të vijoni ta ushtroni sërish detyrën e trajnerit?
Normalisht që kam punuar në këtë drejtim. Për mua nuk ka rëndësi se me kë do të ushtrohem me fëmijët apo me të rriturit. E rëndësishme është që të vijoj këtë punë që e kam me aq shumë pasion.