Një incident i rëndë, por fatmirësisht pa të lënduar, është regjistruar pasditen e kësaj të diele në zonën e Kepit të Rodonit në Durrës, ku tetë persona janë përfshirë në sherr fizik. Bëhet fjalë për një përplasje fizike mes disa personave të familjes Kaçuli dhe përfaqësuesve të Kishës Katolike.
Fatmirësisht nuk ka të lënduar, ndërsa policia ka shoqëruar 8 personat e përfshirë në konflikt, B. K., E. R., Y. R., O. R., N. S., M. F., M. L. dhe P. D. Në një reagim zyrtar, policia thotë se shkak për sherrin është bërë një çështje pronësie.
Lidhur me situatën në Kepin e Rodonit, përfaqësues të Kishës bëjnë me dije për A2 se: “Disa persona me një autorizim nga Provinca Françeskane e Shkodrës kanë gjetur pretekst për të hyrë si “vëzhgues” roje të pronës, për ta ruajtur nga dëmtimet, por realisht po kryejnë punime të paligjshme dhe pa asnjë autorizim nga askush (edhe pa asnjë leje) dhe po rrethojnë tokën e z. Bajram Kaçuli, që e ka me certifikatë të rregullt pronësie”.
Durrës/Informacion paraprak
Në zonën e Kepit të Rodonit, disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës katolike, shtetasit N. S., M. F., M. L. dhe P. D.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.
Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri. Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët pasi kanë marrë ndihmë mjekësore, janë shoqëruar bashkë me shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, me qëllim kryerjen e veprimeve për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit të sotëm. Sqarojmë se në lidhje me pretendimet e palëve për certifikatën e pronësisë, nga ana e Policisë janë referuar disa herë materialet në Prokurori, për konfliktet që ka patur herë pas here, mes palëve.