Kryedemokrati Lulzim Basha përmes një interviste të dhënë për Vizion Plus ka folur në lidhje me zhvillimet e brendshme në PD, si dhe mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të kësaj force politike më 18 Dhjetor. Basha u shpreh se nuk ka dy kuvende në Partinë Demokratike, por një kuvend i cili bazohet te statuti dhe që ka për qëllim bashkimin dhe jo përjashtimin.
Deklarata dhe veprimet këto dy muajt e fundit të liderit historik Sali Berisha, Basha i konsideroi si përpjekje për ta kthyer Partinë Demokratike në mburojë për interesat personale duke përdorur sipas tij një gjuhë më të poshtër dhe se Edi Rama.
Kryedemokrati theksoi se lideri historik i së djathtës është një politikan të cilit i ka mbaruar koha dhe që është shndërruar në një tubë oksigjeni që shkon në mbajtjen në këmbë të regjimit.
“Unë nuk e kam komentuar dhe nuk e komentoj vendimin e qeverisë amerikane dhe përpjekja për të tërhequr njerëz që kanë sakrifikuar për këtë parti në një betejë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e pafalshme, madje do të thoja kriminale. Sepse është një betejë që çon në dobësimin dhe asgjësimin e Partisë Demokratike si e vetmja alternativë, si e vetmja shpresë për ta nxjerr Shqipërinë nga kjo gjendje’, tha mes të tjerash Basha.
INTERVISTA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, PËR VIZION PLUS MË GAZETAREN OLTA BLACERI
Pyetja: Zoti Basha faleminderit që pranuat të jepnit një intervistë për Vizion Plus.
Lulzim Basha: Kënaqësia ime!
Pyetja: Do të doja të kthehesha pas, në 9 shtator në fakt kur ju vendosët pezullimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Aso kohe ju deklaruat, rrugëtimi i Sali Berishës në politikë, nuk ndahet dot nga rrugëtimi i Partisë Demokratike dhe sukseseve të saj në qeverisjen e vendit dhe mbrojtjen e interesit publik. Sot në fakt ju flisni për përjashtimin e Sali Berishës, çfarë ndryshoi në këto dy muaj e gjysmë.
Lulzim Basha: Nuk flas për përjashtimin e Sali Berishës, unë flas për zbatimin e statutit ndaj çdokujt, qoftë ky dhe Sali Berisha, e para. E dyta, ajo që ka ndodhur është e qartë, këto dy muaj kohë Sali Berisha nuk i shfrytëzoi për të bërë të vetmin akt që prisnin dhe meritonin demokratët. Dhe që ai e premtoi në verë që mos të përfshinte Partinë Demokratike dhe as grupin parlamentar, që ka një detyrë shumë të rëndë dhe shumë të rëndësishme para demokratëve dhe shqiptarëve, përballjen me regjimin e Edi Ramës, përballjen me masakrën zgjedhore, përballjen me përditshmërinë e shqiptarëve që është një vuajtje e pafund nga ky regjim. Përkundrazi, iu mbivendos kësaj detyre parësore të Partisë Demokratike dhe në dy muaj kohë, në vend që ta përdorte për të bërë atë që priste çdo demokratë, një qëndrim dinjitoz, ashtu siç e premtoi në një distancim nga Partia Demokratike, nga grupi parlamentar për ta vazhduar betejën e tij të cilën ka vendosur ta ndjek në rrugë ligjore, sepse është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneri strategjik i Shqipërisë, partneri strategjik i Partisë Demokratike në 30 vite.
Përkundrazi, e përdori këtë kohë për të shpalosur anët e tij më të errëta. Siç kemi parë gjatë ditëve dhe javëve më të fundit, me kulturën e linçimit dhe sulmeve më të turpshme, më të ulëta, përfshirë ndaj drejtueseve gra demokrate që nuk mendojnë si ai. Me një gjuhë të poshtër, denigruese e cila i ngjan, madje mund të them në disa aspekte ia kalon edhe sulmeve që Edi Rama bën ndaj të njëjtëve persona. Prandaj, gjithçka ka ndryshuar që nga 9 shtatori. Rruga që Sali Berisha ka zgjedhur nuk ka asnjë lidhje më me vlerat dhe parimet për të cilat qëndron kjo parti, e ka bërë këtë sepse dëshiron, ka zgjedhur që të bëjë gjithçka për ta përdorur Partinë Demokratike edhe demokratët si mish për top për hallet e veta. Këtë nuk mund t’ia lejoj dhe t’ia fal asnjë demokrati të ndershëm.
Pyetja: Por zoti Basha, a ndani ju të njëjtat qëndrime me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se Sali Berisha, një, është i korruptuar, dy është minues i demokracisë?
Lulzim Basha: Unë nuk e kam komentuar dhe nuk e komentoj vendimin e qeverisë amerikane dhe përpjekja për të tërhequr njerëz që kanë sakrifikuar për këtë parti në një betejë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e pafalshme, madje do të thoja kriminale. Sepse është një betejë që çon në dobësimin dhe asgjësimin e Partisë Demokratike si e vetmja alternativë, si e vetmja shpresë për ta nxjerr Shqipërinë nga kjo gjendje.
Pyetja: Por a është Sali Berisha një politikan i korruptuar zoti Basha?
Lulzim Basha: Sali Berisha ka demonstruar dy muajt e fundit se është një njeri dhe një politikan që i ka mbaruar koha, është jashtë kohe. Është jashtë kohe me mënyrën se si është sjell.
Pyetja: Në 17 korrik, në Kuvendin e Partisë Demokratike, kishte një agjendë, platforma qytetare. Në 18 dhjetor është sërish platforma qytetare. Po bëni një Kuvend për përjashtimin vetëm të Sali Berishës?
Lulzim Basha: Nuk ka Kuvend përjashtimi, ka Kuvend bashkimi. Dhe çdokush e përcakton raportin me demokratët në bazë të qëndrimit që mban me interesat elektorale dhe politike të Partisë Demokratike dhe në raport me Statutin e Partisë Demokratike. Nuk është kjo një hordhi dumbabistësh ku secili bën si t’i thotë mendja apo dikush është më i barabartë se të tjerët dhe i mbivendoset dikujt tjetër. Jo. Statuti është i qartë. ka një Kuvend, një Parti Demokratike, e cila do të marrë vendime jo për hallet personale të askujt po për hallet e shqiptarëve dhe në raport me Platformën Qytetare për Demokraci, do t’i japë formë, do t’i japë substancë një lëvizje popullore e cila ngërthen interesat e shumicës sepse ajo që kemi sot në Shqipëri është një pakicë e vogël njerëzish, pushtetarësh, politikanësh, oligarkësh, faktorësh të krimit të organizuar që mbajnë të gjithë Shqipërinë në duart e tyre duke u pasuruar, duke u bërë gjithnjë e më të pushtetshëm përballë një shumice e cila po varfërohet ditë për ditë dhe si rezultat një pjesë e madhe po shikon largimin si të vetmin shpëtim. Pra, janë hallet e shqiptarëve problemi dhe agjenda jonë, jo hallet personale të askujt, qoftë ky dhe Sali Berisha.
Pyetje: Çfarë do të bëni me 11, a do të shkoni te Kuvendi i thirrur nga delegatët?
Lulzim Basha: Nuk ka se po të kishte padsikutim që unë i pari do të kisha garantuar që vullneti i demokratëve, i delegatëve, të respektohej dhe ju e dini fare mirë që kjo u pamundësua në mënyrën se si vetë Sali Berisha vendosi çastin e fundit të bënte blofin me atë që e quajti një proces pëe zbatimin e Statutit dhe demokracinë e brendshme. gjuha e tij tashmë provon para të gjithëve se nuk ka asnjë interes tjetër përpos se ta mbajë Partinë Demokratike në vendnumëro, madje ta sabotojë në përballjen me regjimin me të vetmin qëllim për ta përdorur si mburojë kundra Shteteve te Bashkuara të Amerikës.
Pyetje: Por të paktën një pjesë e demokratëve do të shkojnë në 11 Dhjetor. A jeni ju për përçarjen ndoshta më të madhe të Partisë Demokratike në tre dekada?
Lulzim Basha: Nuk është një situatë për të folur me nëse apo për të supozuar të pasupozueshmen. demokratët, të cilëve iu dhimbset Partia Demokratike dhe sakrifica e demokratëve e kanë të qartë. përballja është jo thjesht midis të shkuarës dhe të nesërmes, ku qëndron investimi i tyre 10, 15. ndonjëherë 30 vjeçar, por është po kështu përballja me një regjim ku nga njëra anë, kemi një Parti Demokratike me forume legjitime, të zgjedhura, të votëbesuara, të angazhuara në betejë frontale me regjimin dhe një individ i cili me veprimet e tij po dëmton interesat e demokratëve dhe është kthyer, po ju them dhe një herë në tub oksigjeni për regjimin dhe regjimi ia njeh këtë meritë. I ka vënë në shërbim të njëjtët njerëz që ua turri demokratëve me 25 prill, njerëz të krimit të organizuar.
Pyetje: Si i jepet fund kësaj përpjekje? Ndoshta do të shkoni ju të votëbesoheni, si do ti tregoheni ju demokratëve që ju gëzoni mbështetjen e shumicës?
Lulzim Basha: Këto janë pyetje, të cilat kanë marrë përgjigje shteruese, përmes proceseve që ne sapo kemi përfunduar. Asgjë nuk ka ndryshuar. Më 9 shtator, përveç marrjes së një vendimi nga kryetar i Partisë Demokratike, vendim që i takonte Sali Berishës, i cili e premtoi dhe nuk e bëri. Asgjë tjetër nuk ka ndryshuar, e vetmja gjë që do të ndryshojë, më 18 dhjetor, është që kuvendi i demokratëve dhe për demokratët do ta tregojë qartë që kjo parti nuk mbahet peng i interesave personale të askujt, por është dhe do të mbetet një aset në duart e shqiptarëve dhe do të përdoret vetëm për aspiratat e tyre dhe natyrisht për problemet e tyre.