Është e vërtetë se me pagën apo sikundër jemi mësuar të themi ne “rrogën”, mund të bësh “gjithçka”! Po në fakt mund të kesh një celular dhe lekët për internet, mund dhe të paguash taksat e shtëpisë, mund dhe të ushqehesh mirë kur je një kuzhinier i sprovuar, mund dhe të pish një ose dy kafe njërën në kafe qendre dhe tjetrën në lagje. Mundesh seriozisht të mendosh për një javë pushime në vit, por të duhet të llogaritësh mirë asikuracionin dhe taksat e makinës. Pastaj, fëmijët rriten dhe po ashtu këmba e tyre, librat kushtojnë dhe ato, dhe shkolla ka pagesat e veta, ka dhe ndonjë që martohet dhe të thërret në dasmë, por njerëzit dhe vdesin larg qoftë dhe duhet llogaritur dhe kjo, pastaj vjetërsohet frigoriferi këtë vit, kurse tjetrin prishet përfundimisht lavatriçja. Sa rregullohen këto, prishet muri nga komshiu sepse ka lagështirë, por dhe duhet lyer sërish kuzhina, ballkoni fut ujë dhe i duhen duraluminet e reja, gardëroba është vjetruar, fëmijët kërkojnë celularë të rinj etj., etj., etj. Sigurisht kështu është një familje që merr rrogë apo pagë në shtet. Dy persona që konsiderohen “të lumtur” dhe që punojnë në shtet, sigurisht janë të rendit mesatar të sotëm të afro 600-700 euro në muaj së bashku, dhe kjo sigurisht jo në fillimet e tyre!
Si mundet kjo familje të blejë një shtëpi që bën 40 -50 mijë euro, sepse kaq janë çmimet?! Po pra kur në dhjetë vite po të mos shpenzojmë asgjë nga të ardhurat e tyre, bëjnë vetëm 6-7 mijë euro “kursim”. Si mund të blejnë një makinë që shkon 4-5 mijë euro?! Sigurisht me shumë vështirësi dhe me probabilitet të sigurt që një kredie që lahet me një kolateral robtues që nuk i lejon të bëjnë asgjë më shumë në familje.
Nejse, duhen të ardhura të tjera të cilat pastaj të përballen me çmimet e banesave, pushimeve dhe nivelit normal, i cili në Shqipëri është si në BE, kur të ardhurat janë pesë deri në gjashtë ose shtatë herë më të vogla se aty ku medemek aspirojmë të shkojmë. Por nuk e kam këtu fjalën, sepse sapo kemi nisur rrugën e ballafaqimit me standardet e BE-së. Fjalën e kam se në shoqërinë tonë “nukli themelor i ruajtjes së ligjit, zbatimit të tij apo gjyqësori” është një magazinë absurdi në pasurim dhe krim shoqëror, në ndarje pa logjikë dhe kriminale nga shoqëria në nivel jetësor. Nuk e kam fjalën për të gjithë trupën e gjykatësve dhe njerëzve të drejtësisë si prokurorët etj etj. Jo normalisht jo të gjithë – por shoqëria tashmë ka parë qartë dhe mirë, se njerëzit e ligjit janë stërpasuruar dhe stërndarë nga niveli i shoqërisë shqiptare dhe kjo teorikisht duhet t’i referohet rrogës/pagë të tyre si punonjës të shtetit.
Sa e kanë pagën? 800 euro, 1000 euro, 1200 euro? Sa pra? Po si ka mundësi me pagë 1000 euro të blesh 250.000 euro shtëpi dhe pastaj dhe 100.000 euro apartament dhe pastaj makinë 40.000 euro dhe pastaj dhe dyqan…tokë…etj etj?! Si mund të bësh mbas këtyre dhe pushime në Azore, po si mund të shpenzosh në një mënyrë eksklamative mijëra e mijëra si në veshje dhe në ngrënie apo shpenzime luksi – me rrogën e shtetit shqiptar?! Si mund të demostrohet e gjithë kjo arrogancë në një moment rroge shteti?! Si mund të paguhen pushime dhe shkollime të fëmijëve që përbëjnë 400% të pagës vjetore të gjykatësit apo dhe shpenzime udhëtimi dhe veshjesh që kalojnë 100% të pagës vjetore të një prokurori?! Por pastaj në deklarime fillojnë gruaja kështu dhe pronat kështu, punoj dhe këtu dhe jap mësim dhe aty, por kam leksion dhe këto, dhe jam në bord dhe atje?! Po pra kanë nga tre katër punë shtetarë të Shqipërisë – që kur mblidhet koha nuk kuptohet se kur kanë dalë në punën e shtetit – të rrogës që ju jep pasurinë e cila në fund e kalon rrogën vetë – dhjetë herë?! Ky është vendi më banal në Europë! Politika e ka të qartë mirë se “korporata dhe klani i madh i drejtësisë si gjyqtarë dhe prokurorë” e kanë tepruar më shumë se sa politikanët. A e dini pse? Po sepse në një farë mënyre ato (politikanët) janë të zgjedhurit e popullit. Po pra, janë edhe ato kështu me rrogën e shtetit, por kanë diçka, sepse kanë lejen e “popullit” që abuzojnë. Të gjitha ato që bëjnë gjyqtarët, bëjnë dhe politikanët, por janë në fokus, kritikohen, përgojohen, rrënohen, pasurohen, prapë përgojohen dhe prapë – zgjidhen nga popull i tyre.
Po gjyqtarët dhe prokurorët kush i zgjedh?! Sigurisht politikanët dhe pastaj zgjedhin njëri-tjetrin. Të tillë monstra nuk kanë mandat politik të popullit dhe sillen akoma më keq, më me arrogancë, dhe më me kriminalitet abuziv se sa politikanët. Biles i sillen akoma më keq vetë – popullit apo njerëzve dhe shoqërisë! Njëri që drejton dhe një shoqatë që mbronte apo përfaqëson të tillë xhahilë – nga i pa shtëpi, tashmë ishte një i pasur jashtë çdo realiteti shqiptar me rrogë shteti.
Pra asnjë pasurim i tillë nuk bëhet me rrogën e shtetit. Me atë rrogë nuk bëhet asnjë nga ato që bëjnë të tillë xhahilë gjykimi! Pasurinë e tillë e bën vetëm drejtësia e munguar apo padrejtësia e madhe në sistemin e drejtësisë në Shqipëri! Të tillë pasunar drejtësie – me rrogën e tyre (shtetit) kanë bërë vetëm kostumin e parë, sepse i dyti ka kushtuar dyfish. Më e bukura është se “mbrojnë dhe veten” biles luftojnë bashkë për shtigje të reja, prishje reforme, lobime politike të cilat po ju marrin dhe “kursimet”, për të bërë të mundur, shprishjen e një diçkaje që nuk do ta bëjnë shqiptarët – por të huajt. Po pra reformën e bëjnë ato dhe politika është detyruar të firmosë. Pra politikanët mirë apo keq – qëndrojnë shumë më lart! Kanë filluar të largojnë valutë, por kanë bërë gabime se kanë investuar ashpër në imobiliare dhe linja, turizëm dhe deri në banka e agjenci. Kanë shpërndarë euro dhe lekë nga të gjitha anët dhe sot po rrezikohen nga kushërinjtë dhe të afërmit që i dinë të gjitha. Kanë lënë gjurmë, sepse kanë qenë të zot të pasurohen me arrogancën e vulës dhe firmës së shtetit duke mos dhënë drejtësi, apo duke bërë krim në drejtësi – por nuk janë të zot të fshihen mirë, të jenë profesionistë të fshehjes së pasurisë abuzive. Megjithatë nuk shkohet deri te politikanët – pa kapur në dorë drejtësinë, gjykatësit dhe prokurorët. Ju mbetet hatri një pjese që nuk është e tillë?! Sigurisht kanë të drejtë! Por ky është momenti që duhen ndarë nga maskarenjtë dhe kriminelët e ligjit në drejtësi. Duhen ndarë ato që me rrogën e tyre kanë një apartament të thjeshtë, një makinë të lirë dhe një pasuri të justifikuar nga paga, me ata që mbretërojnë me modelin e drejtësisë së munguar dhe të shpërfytyruar.
E tashmë kjo është e qartë për të gjithë se me “rrogën e shtetit” mund të bësh “gjithçka” përveç “drejtësisë” së këtyre lloj gjykatësve dhe prokurorëve në Shqipëri.
Apo i vjen dita një kalimi në “sitë” të imët të një sistemit të tillë pasurimi. Mbase, ne nuk mund të besojmë në asgjë, por dita i ka ardhur dhe kam frikë se mos ka kaluar më tepër se sa duhet.