Vëllazërimi është muzikë e ëmbël, që luhet së bashku. Eshtë shpresë edhe ëndërr e shumë të rinjve, e shkruar mbi një copë karte, e varur mbi degët e një peme, e ledhatuar nga flladet… Me këto fjalë u hap e u mbyll, në Abu Dabi, kremtimi i Ditës së parë ndërkombëtare të Vëllazërimit Njerëzor, themeluar nga OKB-ja dhjetorin e kaluar, në kujtim të nënshkrimit – më 4 janar 2019 – të Dokumentit të Vëllazërimit njerëzor për Paqen botërore dhe Bashkëjetesën paqësore”, nga ana e Papës dhe e Imamit të Al-Azhar, Ahmad Al-Tayeb.
Në ceremoninë virtuale, organizuar nga Shehu Mohammed Bin Zayed, në Abu Dabi, u dorëzua edhe Çmimi Zayed 2021. Fituesit e parë ishin sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dhe Latifa Ibn Zaiaten, “ylli, që shndrit qiellin e errët”, siç njihet në Francë, ku jeton e ku e shndërroi dhimbjen për vdekjen e të birit, viktimë e terrorizmit, në frymë dashurie, duke ndihmuar një mori të rinjsh në burgje e në shkolla të ecin në rrugë të drejtë. Para këtij çmimi, pati marrë një tjetër, nga njerëzit e thjeshtë, pranë të cilëve jeton e të cilët e quajtën: “Nëna guximtare”.
“Im vëlla, Papa Françesku, mik në udhën e vëllazërimit e të paqes”. Kështu e quajti Imami i madh- Papën në kremtimin virtual, ku ritakoheshin dy Burra të mëdhenj: njëri, pikëmbështetje për Islamin sunit, tjetri, Prijës i madh i krisherimit katolik botëror! Dy burra, që e jetojnë konkretisht, prej vitesh, vëllazërmin njerëzor. Që nisën një udhë jo të lehtë, e cila përfundoi me nënshkrimin e Dokumentit mbi këtë Vëllazërim në Abu Dabi, më 4 shkurt 2019.
Datë në të cilën përkujtohet një nga ngjarjet e mëdha botërore, që i fton njerëzit e të gjitha kohëve të punojnë për t’u dhënë fund luftërave e për të ndërtuar një botë, ku mbretëron harmonia e toleranca. Është “gur kilomterik”, kjo datë! Ashtu si thirrja e Papës në faqet e një enciklike me titullin simbolik “Tutti fratelli”, ku përmblidhen shpresat shekullore të mbarë njerëzimit. Ndaj Imami i Madh i Al-Azharit e falënderon, me respekt e admirim Françeskun për angazhimin e tij dhe pohon se do të vijojë të punojë deri në fund të jetës përkrah Papës dhe të gjithë krerëve të feve të ndryshme “për t’i bërë parimet e vëllazërimit njerëzor realitet në mbarë botën”.
Prej këndej, urimi tij që “4 shkurti të jetë çdo vit kumbonë alarmi për botën dhe prijësit e saj, t’i nxisë e t’i fuqizojnë parimet e vëllazërimit njerëzor, duke i bërë realitet në mbarë botën”. Tani duhet që Dokumenti të vihet në jetë – thekson – për këtë, duhet krijuar bindja e patundshme se jemi të gjithë vëllezër e, prej këndej, kemi të drejtën të jetojmë në paqe.
Imami i Madh shprehu admirimin e tij edhe për Shehun Mohammed bin Zayed që – kujtoi – po e çon përpara trashëgimin e atit për sponsorizimin e dokumentit. Përshëndeti, në vijim, Komitetin e lartë të Vëllazërimit Njerëzor për angazhimin e tij lidhur me zbatimin e objektivave të Deklaratës, duke uruar të jenë gjithnjë “rreze shprese e burim admirimi për të gjithë ata, që duan të ecin në shtigjet e kësaj rruge aspak të lehtë”.
Më pas kujtoi edhe Çmimin Zayeed, që përfaqëson një nismë globale për të arritur objektivat e Dokumentit. Përshëndeti edhe ai, ashtu si Papa, dy fituesit e çmimit 2021. Sekretarin e OKB-së, Antonio Guterres, e quajti “një nga shtyllat e paqes botërore”, madje, ndoshta “shtylla më e fortë në luftën për paqen botërore”. Ndërsa gruan fituese, “heroinë” e “model për mbarë botën”. Grua, që e meriton plotësisht këtë titull. Nënë, që pa t’i vritej njëri prej pesë bijve nga duar kriminale terroriste. Nënë, që e shndërroi dhimbjen në “dhuratë për mbarë njerëzimin”, e “në mesazh për paqen”, duke i ftuar të gjithë ta luftojnë përbindshin e terrorizmit e duke u vënë ajo vetë në krye të kësaj lufte. E që – nënvizoi Al Tayyeb – i inkurajon të gjithë të ecin në “rrugën e vëllazërimit e të paqes”.
Për vëllazërimin dhe ndihmesën e madhe, që vjen nga Dokumenti i Abu Dabit foli edhe Primati i Bashkimit Anglikan, Justin Welby, kryeipeshkëv i Canterbury-t, duke theksuar se teksti të frymëzon për të punuar së bashku me frymë solidare. Miqësia është e domosdoshme për ta ndryshuar botën. Përmes miqësisë lind vëllazërimi.
Për Charles Michel, kryetar i Këshillit Evropian, sa më nga larg t’i shikojmë ndryshimet, aq më shumë i vërejmë, prandaj është i domosdoshëm dialogu, që krijon mirëkuptim e frymëzon tolerancë. Ndërsa toleranca i hap udhën respektit e ky zinxhir virtytetsh e bën të mundur paqen dhe vëllazërimin.
Një thirrje drejtuar të rinjve vjen edhe nga Mohamed Abdel Salam, sekretar i Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor: “Mos pushoni së ëndërruari, jini optimistë, mendoni për të ardhmen – pohon ai – e me buzë në gaz”.
Maratonomakë të bashkëjetesës paqësore
Para se të shpallte Çmimin Zayed “për dy njerëz, që përhapin mesazhe të fuqishme bashkëjetese paqësore”, Leymah Gbowee, liberiane, Çmim Nobel për paqen 2011, falënderoi Papën dhe Imamnin e Madh për urtinë që përshkon dokumentin, “dhuratë për çdo burrë, çdo grua e çdo fëmijë”.
Fituesit u zgjodhën nga një juri e pavarur, e përbërë nga Michaelle Jean, ish-guvernatore e përgjithshme e Kanadasë, së bashku me Adama Dieng, senegaleze, këshilltare e OKB-së për parandalimin e genocidit, Chaterine Samba-Panza, ish presidente e Republikës Qendrafrikane, kardinalin Dominique Mamberti, prefekt i Gjykatës së Lartë të Segnaturës Apostolike dhe Muhammad Jusuf Kalla-n, ish-zëvendës president i Indonezisë. /vaticannews.va/