Me 28 vota Asambleja e KF Vllaznia sh.a ka miratuar buxhetin për vitin 2020 dhe pasqyrat financiare të vitit 2018. Në cilësinë e Asamblesë, Keshilli Bashkiak i Shkodrës nuk ka mundur të miratojë zvoglimin e kapitalit të SHA-së për mungesë kuorumi. Sipas kryetares Brisela Kadija, duhet një shumicë prej 3/4 të të gjithë antarëve të Këshillit Bashkiak ose Asamblesë. Në rendin e ditës është futur edhe emërimi i antarëve të Këshillit Mbikqyrës, ku janë propozuar mjaft emra, disa edhe pa asnjë lidhje me futbollin apo financat.
Fillimisht u propozuan Myzafer Bushi, Agron Okaj, Hysen Zmijani, Mhill Shkami dhe Fatjon Nurja. Këshillëtarë jashtë grupit të PS-së kanë kërkuar që të shtohen emra të tjerë dhe për këtë kanë kërkuar pushim. Me rifillimin e mbledhjes, u shtuan edhe emrat e Fatmir Paçrami, Gledis Çeliku, Arbana Xhani Bekteshi, Dorjan Tafa, Nora Deda, Genc Barkiçi. Asambleja vendosi që votimi të bëhet i fshehtë dhe u la në fund të mbledhjes. Në votim morën pjesë 29 këshilltarë, ku 3 vota ishin të pavlefshme. Pesë më të votuarit ishin: Myzafer Bushi, Gledis Çeliku, Fatjon Nurja, Agron Okaj dhe Hysen Zmijani.
Në këtë mbledhje, administratori i KF Vllaznia sh.a. Suad Lici iu përgjigj edhe pyetjeve të këshilltarëve të pranishëm.
Iniciativa e Asamblesë së KF Vllaznia sh.a. është e çuditshme aq më shumë kur ligji 139/2015 për “Vetëqeverisjen vendore” e thotë qartë se si zgjidhen antarët e bordeve dhe drejtuesit e Shoqërive Aksionare shtetërore. Referuar nenit 135 pika 2, referuar statutit të shoqërisë aksionere “Klubi i Futbollit “ Vllaznia”, referuar ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen vendore”, neni 64 “Kompetencat dhe detyrat e kryetarit të bashkisë”, pika f, ”vendos për emërimin ose shkarkimin e anëtarëve të organeve drejtuese të shoqërive tregtare në pronësi të bashkisë, si dhe drejtuesit e ndërmarrjeve e të institucioneve në varësisë”. Sipas gjasave, emërimi i antarëve të Këshillit Mbikqyrës do të jetë i pavlefshëm. Si ligj me mazhorancë të cilësuar, në hierarkinë e legjislacionit, ligji 139/2015 ka prioritet mbi ligjin për shoqëritë aksionare. /ShkodraWeb Media/