Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Gani Dizdari është shkarkuar përfundimisht nga detyra. KPA ka vendosur sot te lere ne fuqi vendimin e dhene nga KPK per largimin e tij nga detyra, pasi nuk kaloi testin e vettingut. Kujtojme se ish gjyqtari e ankimoi vendimin e KPK, te 16 korrikut. Pas shqyrimit te ankeses, KPA vleresoi te drejte vendimin e dhene dhe e la ate ne fuqi.
Vendimi
Pasuria e pajustifikuar dhe marrëdhëniet me nipin e tij të dënuar për “ushtrim ndikimi të paligjshëm” rrezuan Gani Dizdarin- anëtarin e fundit i Gjykatës Kushtetuese që u perball me procesin e vetingut, raportonte ate kohe BIRN.
Dizdari mungoi në seancën dëgjimore të zhvilluar të enjten në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ndërkohë avokati i tij, Sokol Hazizaj pretendoi se subjekti ka burime të mjaftueshme financiare, pavarësisht pasaktësive.
Trupa gjykuese e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilia dhe anëtar Olsi Komici konstatoi probleme si në kriterin e pasurisë ashtu edhe në atë të pastërtisë së figurës.
Ndonëse Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë e kishte certifikuar pasurinë e Dizdarit si të ligjshme, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit evidentoi burime të pamjaftueshme për një pjesë të pasurisë së gjyqtarit si dhe mungesë burimesh të ligjshme dhe pasuri të padeklaruara në emër të vajzës së tij.
Relatori i çështjes, Roland Ilia tha se gjyqtari Dizdari kishte bërë deklarime të sakta për një apartament 97.5 m2 të përfituar nga ligji për privatizimet, një apartament me sipërfaqe totale 86 metra katrorë në Gjirin e Lalzit, një sipërfaqe toke në Mjull Bathore si dhe një depozitë bankare me vlerë rreth 1.6 milionë lekë.
Megjithatë, KPK evidentoi pasaktësi, mungesë burimesh të ligjshme dhe mosdeklarime për një apartament të blerë nga bashkëshortja e ndjerë e Dizdarit për 1 850 000 lekë, një depozitë me vlerë 5272 euro, e krijuar kryesisht nga paratë e llogaritura për shpenzime kurimi, të kthyera mbrapsht nga një bankë gjermane si dhe dhurime në vlerën e 10 mijë eurove për shpenzime kurimi nga të afërmit.
Sa i takon pasurive të deklaruara nga vajza e Dizdarit si person i lidhur, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mospërputhje të shumta, mungesë burimesh të ligjshme dhe shmangie nga deklarimi.
Sipas relatorit, vajza e subjektit ka blerë një apartament në vitin 2009, por sipërfaqja e tij dhe vlera kanë mospërputhje mes deklaratës periodike, deklaratës “veting” dhe pyetësorëve. Në vitin 2009, apartamenti është deklaruar me vlerë 94 mijë euro, ndërsa në deklaratën “Veting” për 73 mijë euro.
Gjithashtu, burimi i krijimit të kësaj pasurie nuk konsiderohet i ligjshëm. Sipas KPK-së, vajza e Dizdarit ka deklaruar se ka marrë 36 mijë euro borxh në vitin 2009 dhe 20 mijë euro borxh në vitin 2010 nga të afërmit, ndërkohë që 23 mijë euro të tjera i ka paguar ish-bashkëshorti.
Hetimi administrativ i KPK-së ka arritur në përfundimin se asnjëri prej të afërmve nuk kishte burime të ligjshme për huatë, ndërkohë që ish-bashkëshorti nuk dispononte dokumentacion për paratë që pretendonte se i kishte fituar nga emigracioni. Komisioni konstatoi gjithashtu probleme të ardhurash në blerjen e një makine me vlerë 6 mijë euro.
Diskutimi në seancë u dominua megjithatë nga konstatimi se gjyqtari Dizdari ishte i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës, për shkak të marrëdhënies së tij me një person të dënuar-që rezulton të jetë nipi i tij Agron Lumneshi.
Avokati i Dizdarit tentoi ta paraqiste këtë gjetje si një marrëdhënie familjare të pafshehur nga subjekti, por hetimi i vitit 2012 ndaj nipit të tij tregon se “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”- një vepër penale që lidhet gjerësisht me rolin e “sekserit”, bëhej për uljen e një dënimi për vrasje në Gjykatë të Lartë ku asokohe punonte Dizdari në këmbim të 10 milionë lekëve.
Ndonëse Lumneshi u dënua me vendim të formës së prerë, hetimi i prokurorisë së Fierit nuk arriti të provonte se ku kishin shkuar paratë.
Relatori i çështjes, Roland Ilia pranoi se subjekti nuk e kishte fshehur këtë “marrëdhënie të papërshtatshme”, por fakti ekzistonte dhe se kjo nuk është në pajtim me ushtrimin e detyrës së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në një përballje më të paqtë se rastet e mëparshme më Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, avokati Hazizaj pranoi disa gjetje, rrëzoi disa të tjera dhe kërkoi konfirmimin në detyrë të klientit të tij me argumentin se “Dizdarit i kanë mbetur edhe 6 muaj para se të dalë në pension”.
Hazizaj pretendoi se për apartamentin e blerë nga bashkëshortja e ndjerë, Dizdari kishte të ardhura të mjaftueshme, të cilat nuk i ishin llogaritur pasi dokumentacioni i Prokurorisë së Tropojës ishte djegur gjatë vitit 1997, ndërsa për dhurimet për kurimin në Gjermani tha se klienti i tij, edhe për shkak të kushteve shëndetësore ishte në kushtet e padijenisë.
Ai i dorëzoi trupës gjykuese prova të reja, që sipas tij vërtetojnë se dy të afërmit që i dhanë hua 56 mijë euro në total vajzës së Dizdarit kanë të ardhura të mjaftueshme, ndërsa e cilësoi mospërputhjen në rastin e blerjes së një makine si “gabim të noteres”.
Lidhur me raportet mes Dizdarit dhe nipit të tij të dënuar, Hazizaj pretendoi se vepra penale e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm nuk përfshihet në ligjin “Antimafia”-ku sipas tij renditen veprat penale që lidhen me krimin e organizuar. Megjithatë, ai tha se Dizdari e kishte deklaruar atë në formular dhe se duhej vlerësuar për faktin se nuk ndërhyri kur nipi i tij bëri rekurs në Gjykatë të Lartë dhe kjo e fundit ia rrëzoi kërkesën.
“Subjekti i rivlerësimit ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe…. është në 6 muajt e fundit të karrierës para se të dalë në pension. Ka dhënë kontribute në këtë sistem drejtësie që ka qenë,” tha Hazizaj në fund të seancës dëgjimore.
“Subjekti ka qenë transparent dhe bashkëpunues me Komisionin. Në fund të karrierës së tij kërkoj rikonfirmimin e tij të detyrë për kohën që i ka mbetur,” përfundoi Hazizaj.