Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministrja e Arsimit Evis Kushi, kanë mbajtur ditën e sotme një dëgjesë me Komitetin Teknik të Ekspertëve në Ministrinë e Shëndetësisë, mbi situatën aktuale dhe zhvillimin e mësimit online në Universitete, nisur nga kërkesat e universiteteve për kthimin në auditore. Manastirliu ka nënvizuar se vendimet e marra janë në funksion të plotë të ruajtjes së shëndetit publik.
“Për ne, në të gjithë vendimmarrjen tonë, gjatë gjithë kësaj kohe, shëndeti është i pari, në majën e piramidës të vlerave dhe të gjitha vendimet tona janë marrë për ruajtjen dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, tha Manastirliu.
Po ashtu edhe kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli argumentoi vendimin për universitetet online.
“Vendimarrja nuk ka qenë e lehtë, por jemi bazuar në këto të dhëna. Situata në Shqipëri nga 6-18 Janar është paraqitur me një rritje të incidencës dy javore, gjë që në dhjetor nuk e kishim. Incidenca dy javore ka shkuar në 291 raste për 100,000 banorë në një kohë që dy javë më përpara ka qenë vetëm 227 raste për 100,000 banorë, kjo është shoqëruar me një rritje të incidences, sidomos në moshat 15-24 vjeç dhe në moshat 25-34 vjeç. Një tjetër faktor risku është qëndrimi në konvikte, që e shton shumë rrezikun e infeksionit dhe mundet që konviktet të shndërrohen edhe në vatra të shpërndarjes së sëmundjes. Universitetet online janë praktikisht në shumë vende të Botës, në Britaninë e Madhe, në Itali, në Gjermani, Austri, Zvicër, në SHBA, Kanada, edhe në një sërë vendesh të tjera”- theksoi Rakacolli.
Ndërsa drejtuesja e Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive në ISHP, anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Silva Bino, është shprehur se: “Që me shfaqen e varianteve të reja qoftë në Mbretërinë e Bashkuar, po qoftë edhe variante të reja që janë shfaqur sot dhe që janë gjetur në shumë vende të botës në Afrikën e Jugut, në SHBA, edhe në vende të tjera, është vënë re që mosha 15-24 vjeç dhe mosha e re jo vetëm preken, por aktualisht ata shërbejnë si vektorë, si transmetues të këtij virusi në moshat e tjera. Është diçka e cila do të monitorohet. Nuk është një vendim i dëshirueshëm, por këto janë faktet, të cilat janë vënë re në Botë dhe janë vënë re edhe nga ne.”
Ministrja Evis Kushi ka theksuar se Ministria e Arsimit ju ka qëndruar në zbatim të gjitha sygjerimeve të Komiteti Teknik të Ekspertëve.
“Dua t’ju garantojë se Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë padyshim që do të jetë në respekt të sygjerimeve tuaja. Ne nuk mund të marrim asnjë vendim dhe jemi shumë të ndërgjegjshëm për këtë, nuk mund të marrim asnjë vendim që shkon kundër analizave tuaja shkencore, argumentet që na dhatë janë të qarta, prioriteti më madhor është shëndeti”, tha Kushi.
Manastirliu tha se vendimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve synojnë që të garantojnë një situatë të qëndrueshme dhe të mbrojnë shëndetin publik.
“Me vendimet e marra në kohën e duhur, jemi përpjekur që të krijojmë sa më shumë qëndrueshmëri, mbi të gjitha orjentimi i vendimeve të Komitetit Teknik, bazohet në vendime të cilat favorizojnë shëndetin publik, sepse ajo që duam të garantojmë është një përputhje e masave me atë çfarë ne presim nga zbatimi i tyre”, tha Manastirliu.
Në fund të dëgjesës, ekspertët e Komitetit Teknik dhe Ministrja e Shëndetësisë theksuan se vendimi për universitetet online do të vlerësohet periodikisht, duke parë dinamikën e situatës së epidemisë në vend.