Shqiptarët kanë arritur një rezultat historik. Të vetëm etnikisht edhe pse të ndarë në dy koalicione, kanë siguruar 2 vende në parlamentin malazez. Lista Shqiptare ka siguruar 1.61% të votave dhe Koalicioni Shqiptar “Bashkë me një za” 1,16%. Në total, janë kaluar 11 vota, më saktë Lista Shqiptare 6485 vota dhe Koalicioni Shqiptar 4675 vota. Ky është mesazhi më pozitiv për ne shqiptarët, ndërsa në zgjedhjet e ardhshme, duhet synuar arritja e 3 deputetëve, nga një që shqiptarët kanë aktualisht në parlamentin 81 vendësh të Malit të Zi. Kjo, pasi nga rreth 24 mijë shqiptarë me të drejtë vote, as gjysma e tyre nuk u motivuan për të votuar subjektet etnike shqiptare. Pra, zyrtarisht ka një “hambar” votash që mund të sigurojë një mandat të tertë për shqiptarët e Malit të Zi.
Milo Gjukanoviç, prej 30 vitesh në pushtet herë si kryeministër e herë si president, me DPS-në e tij, ka dalë forcë e parë politike me 35% të votave, në një rënie 6% krahasuar me 4 vite më parë.
Opozita e vendit, e konsideruar gjerësisht si pro- serbe, me 32.5% të votave, është mjaft afër Gjukanoviçit. Në total, partitë të ashtëquajtura opozitare, kanë siguruar 42 deputetë, gjithmonë bazuar në pozicionimet e fushatës zgjedhore.
Gjatë fushatës zgjedhore, direkt apo indirekt, Milo Gjukanoviç mori mbështetjen e vendeve e liderëve perendimorë, të cilët e konsideronin atë si pro- perëndimor. I fundit për nga rradha dhe publikisht, ishte Edi Rama, në cilësinë e kryesuesit të rradhës së OSBE-së por që mesa duket, nuk i solli shumë fat Gjukanoviçit.
Ndërtimi i qeverisë së re të vendit, nuk do të jetë aspak një sipërmarrje e lehtë edhe pse opozita malazeze ka kënduar fitore që mbrëmë. Një rol të padikutueshëm do të kenë edhe ndërkombëtarët dhe skenari i Kosovës, nuk është shumë i largët. E rëndësishme është të ruhet stabiliteti në republikën e vogël ballkanike por njëkohësisht, të mbahen sa më larg gadishullit implementimi i interesave ruse, në këtë rast, përmes Serbisë.
Duket e çuditshme, por fatet e qeverisjes së Malit të Zi, duket se do të përcaktohet nga një shqiptar ulqinak, në krye të partisë URA që mori 4 mandate “të arta” të dielën. Dritan Abazoviç, me katër mandatet e tij, mund të mbajë në pushtet Gjukanoviç siç edhe mund të sjellë opozitën pro- serbe. Por nga ana tjetër, Abazoviç, në krye të një subjekti multi- etnik, nuk e ka fshehur asnjëherë ambicjen për të qenë kryeministër i Malit të Zi. Në këto rrethana, duket se Abazoviç do të jetë “kingmaker”-i në Malin e Zi. /Shënim i ShkodraWeb Media/