Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur deklaratave të Presidentit Ilir Meta i cili është shprehur se kryedemokrati i ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Në një intervistë për ABC News, Basha i konsideron gënjeshtra dhe se këtë kërkesë ia ka bërë dikush tjetër.
Basha: Rama padiskutim është armiku i Shqipërisë. E vërteta është që Shqipëria është vendi më i korruptuar i Ballkanit, dhe në Europë. Ka shkallë të lartë emigracioni në Europë. Unë jam pyetur për episode të caktuara për Metën. Është e vërtetë e pamohueshme që e di çdokush që futja e Ilir Metës, në dy javët e fundit në fushatë elektorale, ishte një dëm i madh.
Pyetje: I keni kërkuar Ilir Metës të anulojë zgjedhjet e 30 qershorit?
Basha: Janë gënjeshtra. Meta e di mirë se kush ia ka kërkuar. Unë jam në dijeni se kush ia ka kërkuar por, Meta duhet ta thotë vetë se kush ia ka kërkuar. Unë nuk jam zëdhënësi i Ilir Metës. Duhet ta thotë ai se kush ia ka kërkuar. Sa i takon çështjeve të tjera, janë publike. Në këtë studio, dhe kudo është pasqyruar vullneti i LSI-së për të dalë më vete dhe është bërë publik.