Kompania Microsoft tha të dielën se po vazhdon diskutimet për të blerë aplikacionin e suksesshëm të postimit të videove të shkurtra TikTok që aktualisht zotërohet nga gjigandi kinez ByteDance.
Ndërkaq, Presidenti Trump ka pranuar t’i japë kompanisë ByteDance 45 ditë për të negociuar shitjen, thanë të dielën dy persona të afërt me negociatat.
Microsoft, i cili shpreson të mbyllë negociatat deri më 15 shtator, nxori një deklaratë pas bisedimeve mes shefit ekzekutiv Satya Nadella dhe Presidentit Trump. Deklarata thotë se Microsoft do të garantojë se të gjitha të dhënat private të përdoruesve amerikanë të aplikacionit TikTok’s do të transferohen dhe mbahen në SHBA.
“Microsoft e kupton plotësisht rëndësinë e trajtimit të shqetësimeve të presidentit. Kompania është e angazhuar për të blerë TikTok pas një analize të plotë të sigurisë dhe të përfitimeve ekonomike, të cilat do t’i paraqiten edhe Departamentit të Thesarit”.
Kompania shtoi se nuk është e garantuar se do të arrihet marrëveshje.
Negociatat ByteDance-Microsoft do të mbikqyren nga Komisioni për Investime të Huaja në SHBA, një entitet i qeverisë federale amerikane që ka të drejtën të bllokojë çdo marrëveshje, thanë burimet e afërta me negociatat.
ByteDance, Microsoft dhe Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën kërkesës së agjencisë së lajmeve Reuters për komente.
Të dielën në mëngjes, Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo tha në një intervistë me kanalin Fox News se presidenti do të marrë vendime së shpejti:
“Presidenti Trump e ka thënë ‘mjaft më’ dhe se do ta ndreqim këtë problem. Në ditët e ardhshme do të njoftohen vendime lidhur me një numër shqetësimesh për sigurinë që kanë lidhje me Partinë Komuniste Kineze,” tha Sekretari Pompeo në emisionin “Sunday Morning Futures.”
Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin tha të dielën për kanalin ABC se Komisioni për Investime të Huaja në SHBA “e ka thënë se TikTok nuk mund të vazhdojë në formatin aktual sepse ky format shoqërohet me rrezikun që informatat e mbi 100 milionë amerikanëve të përfundojnë në Kinë“.
Gjatë fundjavës, disa senatorë republikanë thanë se mbështesnin një propozim që kompania ByteDance të shesë operacionet e aplikacionit TikTok në SHBA.
Senatori republikan John Cornyn tha në Twitter se shitja e këtyre operacioneve nga ByteDance “dhe blerja e tyre nga një kompani amerikane do të ishte në interes të të gjitha palëve”.
Senatori republikan Roger Wicker, i cili kryeson Komisionin e Senatit për Tregtinë, shtoi se “marrëveshja duhet të përfshijë masa të forta sigurie për të mbrojtur të dhënat e konsumatorëve dhe për të garantuar se nuk mund të ketë ndërhyrje nga jashtë“.
Senatori republikan Marco Rubio tha në Twitter” se “nëse mund të blihen kompania dhe të dhënat dhe të kalojnë në duart e sigurta të një kompanie amerikane, ky do të ishte një përfundim pozitiv dhe i pranueshëm”.
Të shtunën, senatori republikan Lindsey Graham tha se “përgjigja e duhur ndaj shqetësimeve të sigurisë për operacionet e TikTok-ut do të ishte “blerja e këtij aplikacioni nga një kompani amerikane si Microsoft. Fitore nga të gjitha këndvështrimet. Do të mbante gjallë konkurrencën dhe do të mbronte të dhënat e përdoruesve që të mos bien në duart e Partisë Komuniste të Kinës”. /VoA/