Ka qenë shkrimtari im i preferuar. Nga mosha kur kam formuar disa shije sa i takon prozës e më pas poezisë. Sa herë kam patur mundësi, kam folur me superlativa. Për aq peshë e vlerë që ka patur opinioni im. Edhe para 1990 por edhe në pas, etiketimet që i janë vënë më janë dukur qesharake. Diktatura kërkonte ta përvetësonte, si poet revolucionar, anti- kler dhe mbrojtës e shprehës i interesave të shtresave të vuajtura. Natyrisht, recensionet parapriheshin nga “vijat e kuqe” të komunizmit.
Edhe pas vitit 1990 Migjeni vijoi të konsiderohej në të njëjtën linjë. Deri në atë pikë sa u diskutua edhe heqja e emrit të tij nga teatri i Shkodrës. Ai vazhdoi të konsiderohej në mos komunist (term që akoma sot është më keq se të të shajnë me libër shtëpie!), i majtë. Veç të tjerave, me hapjen e arkivave të vjetra, Migjenit iu vesh edhe një marrëdhënie brenda fisit me një zonjë, e cila në fakt nuk kishte asnjë lidhje gjaku me te.
Realisht, Migjeni ishte, është dhe do të mbetet sipas meje, një pasqyrë e vendit tonë. Pavarësisht se ka 80 vite që ka ndërruar jetë, ai vazhdon të na tregojë realitetin e sotëm, i cili në shumë drejtime ngjan si dy pika uji me atë që ai përjetoi në Shkodrën e Shqipërinë e viteve ’30. Kola që kërkonte pune, “Historia e njëres prej tyre”, “Poema e mjerimit” fatkeqësisht janë edhe sot aktuale. Po aktuale është edhe kërkesa e tij “të lindet një njeri”, të cilën diktatura e shfrytëzonte në interesin e saj ideologjik dhe pas 1990 u përdor për të kryqëzuar Migjenin.
E tani të flasim për anti- klerizmin e Migjenit. “Murgeshë mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit. ” ose “…e mbi ta n’ajri, si në qesendi, therin qiellën kryqat e minaret e ngurta, profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta shkëlqejnë…e mjerimi mirfilli ndien tradhti.”. A ekziston një njeri në glob, që të pakën në një moment, një herë në jetë, qoftë edhe besimtari më i madh i botës, nuk ka shfryrë ndaj gjithçkaje…edhe vetë Krijuesit të tij?! Historia dhe rrëfimet para apo pas vdekjes kanç treguar se edhe klerikë të lartë që ia kushtuan jetën Zotit, kanë patur lëkundjet e tyre. Pse Migjeni duhet të bëjë përjashtim?! Aq më tepër kur ka njohur e prekur nga afër çdo aspekt të jetës së vështirë të kohls që jetoi. Ka edhe diçka tjetër. Migjeni po nxirrte nga gjoksi i tij, nga vetvetja art. Atë art që atëherë por mbase edhe sot po kërkohet të paragjykohet dhe duke mos e gjykuar në peshore thjesht…si një shpirt i lirë. Tamam si vargjet e lira që i perfeksionoi deri në mit.
Është e natyrshme që çdokush, nga më i thjeshti deri tek pushtetmbajtësi më i lartë, kanë edhe preferencat e tyre letrare që mbase mund të shihen edhe në optikën e përkatësisë politike. Migjeni lindi, u pjek dhe vdiq shumë i ri. Në jetë dhe në letërsinë tonë. Mbase kemi humbur shumë me vdekjen e tij në lule të rinisë, mbase mund ta kidhim njohur edhe më mirë në aspektin “anti- klerikal” të tij. E për ta mbyllur, Migjeni ka patur të drejtën e tij atëherë siç e kanë shumë edhe sot, të mos jetë besimtar. Ndoshta jo ateist. Por duke u kënaqur me ecjen në “tehun e thikës” edhe në raport me fenë duke blasfemuar (sipas besimtarëve!), ashtu siç i ka ndodhur çdokujt të paktën një herë në jetë.
Përgjithësisht artisti nuk gjykohet për atë që është por për atë që jep në raport me impaktin tek publiku. E unë mendoj se gjëja më e mirë është ta shohim orthodhoksin Millosh Gjergj Nikolla të Shkodrës si një pasqyrë. Para saj akoma vazhdojmë të turpërohemi për atë që nuk kemi arritur të ndërtojmë akoma dhe që mbase mund të mos e ndërtojmë kurrë. Për pjesën tjetër, Migjeni është në një dimension që nuk e njohim ne këtu, ku ka kush i kërkon “llogari” nësë është konsideruar si mëkatar. Besoj se 80 vjet janë të mjaftueshme…për çdo gjë! Këtu në Tokë dhe atje Lart. /Nga Blerti DELIJA/