Dy ditë më parë Vllaznia në basketboll për meshkuj zyrtarizoi trajnerin e ri për sezonin 2021-2022, duke nënshkruar me malazezin Nikola Milatoviç. Ky i fundit vjen pas një edicioni fantastik, ku bëri dopietë me Teutën, duke fituar si kampionatin kombëtar, ashtu edhe Kupën e Shqipërisë. Por, si është pritur largimi i trajnerit në radhët e skuadrës bregdetare?
Për këtë gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me presidentin e kampionëve të Shqipërisë, Arqile Gorean. Drejtuesi i skuadrës durrsake nuk duket aspak i shqetësuar me kalimin e trajnerit malazez në Shkodër, ndërsa bën të ditur se për skuadrën e tij nuk ndryshon asgjë, duke e kaluar me një batutë ikjen e 57-vjeçarit:“Ne fokusohemi tek objektivat tanë, ku gjithmonë do të synojmë fitimin e kampionatit. Edhe kur të lë goma e makinës, nuk është ndonjë hata e madhe, vendos tjetrën dhe vazhdon rrugën”.
I pyetur se cili do të jetë trajneri i ri i Teutës, Gorea nuk jep emra, por bën të ditur se skuadra e tij do të afrojë një teknik edhe më të mirë se malazezi: “Momentalisht nuk mund t’ju them emra konkretë, por ajo që ju them me siguri të plotë është se Teuta do të marrë trajner më të mirë se Nikola Milatoviç. Kemi variante për trajnerë shqiptarë, ashtu sikurse edhe për të huaj. Ekipi ka treguar që mbetet gjithmonë mes skuadrave pretendente për fitimin e titullit kampion”.
Në fund Gorea flet shkurtimisht edhe për Vllazninë, skuadër që ka hedhur kandidaturën e fortë si pretendente për titull. Por, edhe këtu kreu i bregdetarëve e kalon me një tjetër batutë. “Për Vllazninë flet vetë fotografia e prezantimit të trajnerit. Mjafton të shikoni me kujdes atë foto, nuk kam çfarë të shtoj tjetër”, përfundoi drejtuesi i skuadrës bregdetare, Arqile Gorea.