Deri dje, kur Policia “sulkmohej” për fshehje ngjarjesh, kishte një frazë të gatshme, me të cilën i “lante duart”, duke thënë se gjithçka ishte e publikuar në faqen zyrtare. Bëhej fjalë për komunikatën e përditshme, ku ndonëse ngjarjet që ndodhnin në të gjithë vendin përshkruheshin me shumë pak të dhëna, të paktën hidhej çdo ditë në faqen e Policisë së Shtetit.
Ndërsa sot, nuk ka më një komunikatë të tillë. Që nga fillimi i vitit, Policia ka zgjedhur një formë tjetër, atë statistikore, të raportimeve ditore, që nuk pasqyron asgjë konkrete për të qenë transparentë me median dhe publikun. Tani është zgjedhur një frazë e re për të justifikuar fshehjen e ngjarjeve.
Sipas Policisë, ngjarja nuk është fshehur për sa kohë është referuar në Prokurori. Për shumë vite me radhë, Policia dhe Ministria e Brendshme nisnin me e-mail në adresat e gazetarëve dhe të mediave disa prej ngjarjeve që shihnin të arsyeshme.
Por edhe kjo metodë është hequr nga qarkullimi prej disa vitesh. Më 27 janar të vitit 2014, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri vendosi të deklasifikonte për herë të parë, komunikatën e Policisë së Shtetit. Kjo zgjati deri në fillim të këtij viti, pasi komunikata u klasifikua sërish. /Nga Etleva DELIA/