Një ditë më parë ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, beri të ditur daljen para togave të zeza të 7 punonjësve të Postës Shqiptare për abuzime.
“Përvetësonin pensionet duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 33.000.000 lekësh, 7 zyrtarë para drejtësisë!
Falë denoncimeve të qytetarëve, Agjentët tanë të Antikorrupsionit, në bashkëpunim me Postën Shqiptare, kanë çuar para drejtësisë 7 punonjës të Postës Shqiptare në Dibër, Shkodër, Tropojë, të cilët përvetësonin ndihmën ekonomike, pagesat për personat me aftësi të kufizuar dhe pensionet e atyre që jetojnë jashtë vendit!
Zero tolerancë për zyrtarët që abuzojnë me ligjin për përfitime personale!
Inkurajoj të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast të korrupsionit që hasin në zyrat shtetërore. Bëj pjesën tënde në luftën kundër korrupsionit!”, shkrunte Manja në publikimin e tij në Facebook.
Ndërkohë sot, ShkodraWeb ka mësuar se për filialin e Posta Shqiptare në Shkodër, janë dy persona të arrestuar. Në fakt, janë ish- punonjës të këtij filiali që akuzohen për abuzime.
Aktiviteti i tyre në dëm të pensionistëve që jetonin jashtë vendit dhe personave PAK, është zbuluar në verën e 2022- it. Menjëherë drejtuesit e Posta Shqiptare Shkodër jo vetëm i kanë larguar nga puna por kanë bërë edhe denoncimet ne prokurori.
Njoftimi i bërë nga ministri Manja, thjesht e evidenton fundin e një procesi që ka nisur në gusht të vitit 2022. Tashmë dy ish- punonjëset e Posta Shqiptare në Shkodër, duhet ti japin llogari drejtësisë. /ShkodraWeb/