Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në vijim të kontrolleve në terren, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Vigu”.
Si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
Mark Ndoja, 69 vjeç dhe Kolë Ndoja, 31 vjeç, banues në Vau i Dejës, Shkodër (babë e bir).
Gjithashtu u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi Pjetër Lazri, 29 vjeç, banues në Vau i Dejës.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit M. N., në lagjen “Kinema”, Vau i Dejës, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 22 kilogramë kanabis, në proces tharjeje.
Punohet për kapjen e shtetasit Pjetër Lazri dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.