Si rezultat i kontrolleve dhe veprimeve të tjera operacionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, të kryera në vijim të operacionit policor të koduar “Polinomi”, u kap në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, shtetasi i shpallur në kërkim K. D., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Nga hetimet dyshohet se 24-vjeçari dhe shtetasit R. G., G. D., F. J. (të arrestuar dje) dhe A. N. (ende në kërkim), të organizuar si grup, më datat 18.11.2022 dhe 10.01.2023, kanë djegur 4 automjete, ndërsa gjatë periudhës shtator-nëntor 2023, kanë vjedhur shuma parash dhe sende personale, në 6 banesa, në Vaun e Dejës dhe në Shkodër.
Vijon puna për kapjen e shtetasit A. N., dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe provuar ligjërisht ngjarje të tjera kriminale kundër pronës dhe pasurisë, që mund të kenë kryer këta shtetas.