Gjykata penale e Tiranës ka marrë vendimin ditën e sotme për të akuzuarit në çështjen “Babale”. Trupi gjykues, i kryesuar nga Artan Gjermeni ka vendosur që Ervin Salianji të dënohet me 1 vit burg. Ndërkohë Gjykata Penale e Tiranës dënon me 3 vite e 5 muaj burg Albert Veliun dhe 2 vite burg për Fredi Alizotin.
Për Gazetarin Jetmir Olldashi gjykata ka vendosur për dënimin e tij me 6 muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti.
Pasi doli nga gjykata, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi tha se Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi është dënuar nga banda e Lushnjes dhe jo nga një trupë gjyqësore.
“Sot Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi janë dënuar nga banda e Lushnjes pasi sulmoi bandën e Lushnjes, Agron Xhafajn. Artan Gjermeni është anëtar i bandës së Lushnjes dhe militant i Partisë Socialiste. Sot janë bërë bashkë banda e Lushnjes dhe banda e Agron Xhafajt”, tha Bardhi.
Para se të shpallej vendimi, Salianji shpjegoi akuzat ndaj tij duke thënë se është një rast i montuar.
Ndërsa pritet që të jepet në minutat në vazhdim edhe vendimi për çështjen Babale, Salianji deklaroi dhe bëri me dije provat e reja shkencore që sipas tij janë të pakundërshtueshme. Salianji theksoi se provë themelore në këtë çështje mbetej akt –ekspertimi britanik i cili provon se zëri në audio-përgjime është i Agron Xhafajt.
“Ajo që ndodhi në seancën gjyqësore ishte një farsë. Është e qartë për prokurorinë dhe gjykatën që në datën 24 kur gazetari Jetmir Olldashi që ka bërë investigimin, pothuajse për një prë sipas qelizave telefonike, të pakundërshtuara sot edhe nga prokuroria, edhe Geron Xhafaj edhe Jetmir Olldashi dhe Alfred Alizoti sipas antenave të kompanive celulare ndodhen në të njëjtën zonë që është edhe lokali i Geron Xhafaj.
Në orën 1 e 30 ka ndodhur regjistrimi i audio-skandalit ku përfshihej në skandal vëllai i ish-ministrit të brendshëm, provë e cila nuk është kundërshtuar nga prokuroria. Pretendimi apo prova kryesore e prokurorisë e cila pretendohet se dëshmitari i rremë Alizoti ka sjellë në datën 15 janar audio-përgjimin se bashku me Albert Veliun, me pretendimin se ma kane sjellë mua.
Pra sot kemi fakte të pakundërshtueshme të bisedave telefonike, ku në datën 14 janar deri në fund të Shkurtit, nuk kanë ardhur në Tiranë, bie me provë shkencore pretendimi i dëshmitarit të sajuar, se ka ardhur në Tiranë dhe më ka dorëzuar audio-përgjimin. Të dy numrat e telefonit edhe të Alizotit dhe të Albert Veliut nuk janë në Tiranë në këtë periudhë, provë të cilën prokuroria nuk e kundërshton”, tha Salianji.
Çfarë është dosja “Babale”?
Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale.
Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti. Nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, ai që dëgjohet në audio është i Agron Xhafajt, por i Alizotit, i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.