Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot pranë rrugës “Transbalkanike” në Vlorë, ku një person është vrarë me armë zjarri. Siç mund të shihet nga fotoja, i ndjeri qëndron i shtrirë përtokë, ndërsa në vendngjarje ka uniforma blu.
Autori ka dalë nga një automjet duke qëlluar me breshëri në drejtim të viktimës, i cili po ecte në trotuar. Nuk dihet ende identiteti i të ndjerit si dhe motivet e krimit të rëndë.
Ndërkohë, Policia e Vlorës ka reaguar në lidhje me vrasjen që ndodhi sot në qytetin bregdetar. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:20, në lagjen “Bashkimi”, në afërsi të Gjykatës së Apelit. Raportohet se bëhet fjalë për 31-vjeçarin Tauland Gjikaj. Sipas policisë, i riu ka ndërruar jetë në Spitalin e Vlorës si pasojë e plagëve të marra.
NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 03.03.2021, rreth orës 14:20, në lagjen “Bashkimi”, në afërsi të Gjykatës së Apelit, Vlorë, është qëlluar me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta shtetasi T.Gj., 31 vjec, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në Spitalin e Vlorës.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendgjarje ku është rrethuar zona dhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje dhe në dalje të qytetit dhe përgjatë rrugëve që lidhin njësitë administrative me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor po vijon punën për sekuestrimin e çdo prove materiale që do ti shërbej zbardhjes së ngjarjes dhe identifikimit të autorit/ve.