Si rezultat i presionit të kontrolleve të pandërprera nga shërbimet e Policisë dhe falë negociatave të vazhdueshme me familjarët, mbrëmjen e sotme, në Komisariatin e Policisë Nr. 2, është vetëdorëzuar shtetasi Arbër Sula, (ish-punonjës Policie), ndaj të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ky shtetas, më datë 14.12.2021, në një market në rrugën “Irfan Tomini”, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armën e shërbimit (në kohën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë punonjës Policie, jashtë shërbimit), shtetasin Jurgen Duka, i cili si pasojë ka ndërruar jetë.
Ish-punonjësi i Policisë ka dorëzuar armën e shërbimit me të cilën kreu krimin, së bashku me municionin luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.