Përmes një komunikate në kanalin zyrtar të klubit, Juventusi ka komunikuar pezullimin e përkohshëm të aktiviteteve të formacionit U-23. Masa e marrë është vendosur në bazë të udhëzimeve dhe në pritje të komunikimeve zyrtare nga ana e autoriteteve të shëndetësisë të Alesandrisë, me të cilin personeli shëndetësor i Juventusit është në kontakt të vazhdueshëm.
Arsyeja janë rastet e reja të infektimit nga Koronavirus të dala në skenë gjatë orëve të fundit mes lojtarëve të US Pianezes, skuadër ndaj të cilës bardhezinjtë u përballën 23 shkurtin e kaluar.
Specifikohet që lojtarët e Juves nuk kanë shfaqur simptoma, por kjo është masë paraprake sigurie. Pjesë e skuadrës që ka përfunduar në karantinë është edhe Xhakomo Vrioni, sulmuesi 21-vjeçar i Kombëtares shqiptare që u transferua te bardhezinjtë gjatë merkatos dimërore.