Pritej që sot, në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Teatri “Migjeni” të njihte drejtorin e tij. Si pikë e dytë e rendit të ditës, ishte pikërisht zgjedhja e drejtorit të ri, me dy kandidatura në garë: Arjan Çuliqi dhe Sara Smaja.
Në hapje të mbledhjes, këshilltari i “Bashkë Fitojmë” Florian Bjanku, ka kërkuar që pika 2 e rendit të ditës, të hiqej pasi nuk janë respektuar procedurat ligjore, përcjell ShkodraWeb.
Në vijim, Uarda Gjekaj, në emër të Komisionit të Ligjeve, ka dhënë arsyetimin e plotë për qytetarët se pse kjo pikë duhet hequr. Sipas saj, ligji “Për artin dhe kulturën”, përcakton se drejtori i teatrit “Migjeni” duhet të zgjidhet nga Këshilli Bashkiak. Ndërkohë, ligji organik bazuar në të cilin funksionin edhe Këshilli Bashkiak “Për vetëqeverisjen vendore”, ia njeh këtë kompetencë kryetarit të bashkisë. Meqenëse ligji i parë është i vitit 2010 dhe i dyti i vitit 2015 dhe është organik dhe i miratuar me shumicë të cilësuar në parlament, prevalon ligji 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
Në këto kushte, është hedhur në votim propozimi për heqjen nga rendi i ditës së pikës 2 për zgjedhjen e drejtorit të Teatrit “Migjeni”. Me 25 vota pro, pika 2 është hequr nga rendi i ditës ndërsa 15 këshilltarë votuan kundër. Në këto kushte, drejtori i teatrit “Migjeni” do të emërohet nga kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, shkruan ShkodraWeb.
Bashkia Shkodër inicioi një procedurë për konkurrim të hapur, me tre faza. Depozituan kandidaturat 5 persona, prej të cilëve 3 u kualifikuan për një seancë publike për paraqitjen e platformave: Arian Çuliçi, Sara Smaja dhe Albri Brahusha. Dy të parët u shpallën fitues dhe sot Këshilli Bashkiak, duhej të votonte mes tyre për të zgjedhur drejtorin e ri të “Migjenit”.
Çuditërisht, Këshilli Bashkiak hoqi dorë nga përfundimi i procesit shumë transparent dhe i hapur, duke ia kaluar kryebashkiakut Benet Beci përzgjedhjen e drejtorit të Teatrit “Migjeni”, në një kohë që vetë qytetari i parë i Shkodrës kërkoi të përfshijë “parlamentin” e vogël në zgjedhjen e titullarit. /ShkodraWeb/