“Në vijim të informacionit të dhënë ku dy alpinistë duke eksploruar në Malin e Munellës kanë rrëshkitur duke rënë në humnerë ku njëri prej tyre shtetasi Ilir Shyti u gjet gjatë kërkimeve dhe u transportua në spital ju informojmë se:
Shërbimet e Policisë, shërbimet e zjarrëfikses, pjestarë të shoqatës së alpinistëve Pukë dhe banorë të zonës kanë vijuar kërkimet në kushte klimaterike të vështira dhe terren të thepisur.
Pas disa orë kërkimesh është gjetur i pajetë shtetasi Ndoc Mulaj dhe po vijon puna për nxjerrjen e trupit.”, njofton Policia e Shkodrës në komunikatën zyrtare mbi ngjarjen e rëndë.
Gazetari Alfred Lela, bashkë me Ilir Shytin, Ndoc Mulën, Dorian Malajn dhe Gisel Dollanin ishin duke eksploruar në Malin e Munellës në Pukë, kur aksidentalisht si pasojë e motit të keq ata janë rrëzuar në humnerë. Ilir Shyti u gjet gjatë kërkimeve dhe u dërgua në spital, ndërsa Mula u për fat te keq ka nderruar jete.
Ndoc Mulaj ka qenë një i apasionuar i alpinizmit, bukurive natyrore të Shqipërisë. Vetëm pak orë më parë, ai ka qenë me miqtë e tij në pikën turistike të Shirokës. ShkodraWeb i shpreh ngushëllimet e veta familjes, të afërmëve, miqve, shokëve dhe të njohurve të të ndjerit.
Rrëfimi i gazetarit Alfred Lela:
“E kapëm majën, aty nisi një stuhi që frynte në dy krahët dhe na bëri të pamundur kapërcimin në anën tjetër të majës për t’u ulur në një drejtim tjetër. Era ishte e tillë sa që na merrte mbrapsht. U detyruam të iknim mbrapsht. Ishim pa fat, sepse era dhe i ftohti kishin mbuluar gjurmët duke e bërë uljen më të vështirë. Në përpjekje për t’u ulur kemi rrëshqitur 3 prej nesh, unë i pari.
Me ndihmë të Zotit jam ndalur aty ku nuk mendoja se do të ndalesha më, mendoja se e kisha mbyllur me këtë botë. Më ka ndaluar një objekt pa shkuar në anën tjetër të shkëmbit.
Kyçi besoj që është thyer, shpresoj të jetë ndrydhur. Një është dëmtuar rëndë, është përcjellë me barelë poshtë. Ndërsa një tjetër është ende i humbur, nuk e dimë sa poshtë është. Na janë dashur rreth 1 orë për të zbritur sepse era ishte forcuar shumë nga i ftohti. Kjo është rezymeja. Ne jemi grup që bëjmë ekspedita prej shumë vitesh. Ishim një grup miqsh që do të bënim ngjitjen e fundit të vitit e ndërkohë unë dhe kameramani po xhironim e filmonim”.