Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, sekuestroi pasuritë e shtetasit Klodian Ndogaj allias Klodian Jakini, banues në Beltojë Shkodër, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi u dënua me 13 vjet e 5 muaj burgim për veprën penale të ‘Shfrytëzimit të prostitucionit’.
Kjo prokurori, regjistroi procedimin penal nr.1310/2020, për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Klodian Ndogaj , allias Klodian Jakini, pas informacioneve të siguruara se ky shtetas, pasi ka fituar të ardhura të konsiderueshme si rrjedhojë e përfshirjes në veprimtari kriminale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit të narkotikëve kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian, ka filluar procesin e pastrimit të tyre në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet investimit në blerjen e pasurive të paluajtshme, automjeteve dhe hapjen e veprimtarive të ndryshme tregtare, në emër të tij ose personave të lidhur me të.
Në këto kushte, pasi është kryer një hetim i thelluar në lidhje me pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të këtij shtetasi në Republikën e Shqipërisë, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se blerja e tyre nuk justifikohet me të ardhurat e ligjshme të tij apo të familjarëve të tij. Gjithashtu, ka rezultuar se pjesa më e madhe e pasurive janë blerë apo vendosur në emër të familjarëve dhe më pas janë shitur te persona të tretë, me qëllim mbulimin e gjurmëve dhe fshehjen e origjinës kriminale.
Nisur nga mungesa e justifikimit të pasurive të identifikuara me të ardhura të ligjshme, pas kërkesës së Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr. 279 (1862), datë 16.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme në emër të shtetasit Klodian Ndogaj allias Klodian Jakini dhe personave të lidhur me të, konkretisht:
-Pasuria me nr. 272/242 e llojit truall me sipërfaqe 420 m2, nga të cilat 139 m2 ndërtesë; dhe
-Pasuria me nr.18/181, ZK 8597, e llojit njësi tregtare, me sipërfaqe 112.3 m2, me vlerë në treg rreth 500,000 (pesëqind mijë) euro.
40- vjeçari i kërkuar nga Italia është arrestuar nga Policia e Shkodrës me qëllim ekstradimin me 19 mars 2023. Ai ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”, në pritje të përfundimit të procedurave për ekstradimin e tij.
Gjykata e Shkodrës ndryshoi masën e sigurisë nga arrest shtëpie në arrest në burg dhe kur policia shkoi për ta arrestuar, nuk e gjeti në banesë. Klodian Ndogaj u kap dhe u ndalua nga në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Këtë shtetas Gjykata e Astit, Itali, me vendim e datës 23.10.2019, e ka dënuar me 13 vjet e 5 muaj burgim, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”.