Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në zbatim të planit të masave për konstatimin dhe goditjen e paligjshmërisë në fushën e ndërtimeve pa leje të organeve kompetente, kanë proceduar penalisht shtetasit Z. P., 66 vjeç , Gj. L., 67 vjeç, N. B., 49 vjeç dhe Gj. N., 36 vjeç, të tre banues në Shkodër, për veprën penale “Dhënie ndihme për ndërtim të paligjshëm” pasi në afërsi të rrugës së lagjes Zogaj, janë konstatuar duke ndërtuar një mur rrethues pa lejen përkatëse, në pronën e shtetasit B. T., i cili u shpall në kërkim si pronar i objektit për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Gjithashtu, u procedua për “Dhënie ndihme për ndërtim të paligjshëm” shtetasi M.Gj., 60 vjeç, banues në Shkodër, që u konstatua në rrugën e Zarufës në lagjen Shirokë, Shkodër, duke ndërtuar një mur rrethues pa lejen përkatëse, në pronën e shtetasit I. Z., i cili u shpall në kërkim për “Ndërtim paligjshëm” si pronar i objektit.
Të proceduar penalisht në gjendje të lirë janë edhe shtetasit E.K., 30 vjeç, M.H., 37 vjeç dhe M.M., 30 vjeç, të tre banues në Shkodër, me detyrë punonjës të IKMT në Bashkinë e Shkodrës, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se kanë ushtruar kontroll në objektin e shtetasit Gj.H., 41 vjeç, banues në lagje Vasil Shanto, Shkodër dhe nuk kanë zbatuar detyrat funksionale në verifikimin e ndërtimit që ky shtetas po bënte, konkretisht një pistë betoni pa leje të organeve kompetente për ndërtimin dhe zonën ku ndodhet, e klasifikuar si zonë e mbrojtur. Shtetasi Gj.H., u shpall në kërkim si pronar i objektit për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme. /Njoftim i Policisë së Shkodrës/