Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të enjten shkarkimin e prokurores së Shkodrës Edlira Cufi.
Procesi i vetingut për Cufin u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Alma Faskajn dhe anëtare Etleda Çiftja. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.
Gjatë seancës dëgjimore KPK referoi dyshimet e ngritura nga DSIK për përfshirje të subjektit në veprimatri korruptive si dhe për kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar.
Cufi sipas relatimit kishte përdorur për disa vite një makinë në pronësi të një personi për të cilin ajo kishte kryer hetime.
“Provohet se administratori i pikës së shitjes së automjeteve ka qenë i proceduar dhe se dhënia e mjetit subjektit të rivlerësimit ka ndodhur rreth dy muaj pasi është vendosur pushimi i hetimit”, pohoi Faskaj.
Cufi e cilësoi shpifje raportin e DSIK. Ajo tha se nuk e kishte njohur me atë emër pronarin e pikës së shitjes së mjeteve. Prokurorja kërkoi konfirmim në detyrë.
Edlira Cufi e ka nisur karrierën e saj në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar fillimisht në Prokurorinë e Malësisë së Madhe dhe prej më shumë se dy dekadash si prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Shkodër.