Bashkia e Shkodrës me këmbënguljen e saj, arrin një fitore morale por edhe ligjore përballë KQZ-së. Përballë vendosmërisë për të mos lejuar përdorimin e asateve të saj për një datë zgjedhjesh që nuk ekziston ligjërisht pas anulimit të dekretit nga Presidenti Meta, KQZ ka marrë vendim për vendosjen e KZAZ-ve në një godinë tjetër, që nuk është aset i Bashkisë Shkodër. Sipas infomacioneve, KZAZ 2 dhe KZAZ 3, do të kalojnë ditën e sotme në mjediset e shkollës teknike “Arben Broci”. Ky institucion, si një shkollë profesionale është në varësi të dikasterit të drejtuar nga ministri Blendi Klosi. Fotot më poshtë tregojnë në këto momente, një perqendrim të shumtë të forcave të policisë në oborrin e kësaj shkolle por edhe në rrugën pranë saj. Në orët e mbrëmjes, pritet të shkarkohen edhe materialet zgjedhore që janë nisur nga Tirana drejt Shkodrës. Pritet të shihet se si do të verpohet me qendrat e votimit, të cilat pjesa më e madhe KQZ i ka planifikuar në godinat- pronë e Bashkisë Shkodër, e cila është e vendosur të mos e kalojë administrimin tek institucione të tjera. Nuk përjashtohet mundësia që si në raste të tjera, qendrat e votimit të vendosen në mjedise private. /ShkodraWeb Media/