Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka marrë një vendim shumë pozitiv në prag të sfidës së Conference League në mes Vllaznisë dhe AEL Limassol. Pas propozimit të kryebashkiakes Voltana Ademi, është miratuar rialokimi i fondeve në masën 30 milion lekë të reja për KF Vllaznia sh.a. Sipas sqarimeve të Ademit, fondet janë të trashëguara nga viti 2020, në total 72 milion lekë, prej të cilave 30 milion do të kalojnë për klubin kuqeblu.
Pro kanë votuar të gjithë këshilltarët e pranishëm ose 27 këshilltarë, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim. Fondi kryesisht do të jetë për rroga, pagesa në tatime etj. Ky vendim i Këshillit Bashkiak, është mjaft motivues për Vllazninë, e cila tashmë përveç premiove për kualifikimin në Conference League, sheh të sigurohen edhe pagat e sezonit të kaluar. /ShkodraWeb/