Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka arrestuar 4 punonjës të policisë Shkodër lidhur me atentatin në Dobraç pasditen e 30 tetorit, ku humbën jetën katër persona, mes tyre dy qytetarë të pafajshëm.
Pak ditë më parë AMP ka kallëzuar në Prokurori disa prej efektivëve të Policisë së Shkodrës nën akuzën se shpërdoruan detyrën, pasi sipas AMP, nuk ndaluan personin e tretë që ndodhej në makinë me dy viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Shkodër – AMP ndalon 4 punonjës policie të dyshuar për “Shpërdorim detyre”
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) ka ekzekutuar Urdhërat e ndalimit caktuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ndaj 4 punonjësve të policisë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre “ pasi nuk kanë rrespektuar procedurat standarde të “Sigurimit të vendit të ngjarjes” dhe shoqërimit për identifikim të personave të gjetur në vendin e ngjarjes.
-Inspektor Blerim Kurmekaj dhe Viktor Logu përkatësisht 45 dhe 33 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme e Forcës së Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër.
-Inspektor Julian Sterkaj, dhe Marte Martini, përkatësisht 31 dhe 33 vjeç me detyrë Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër.
Urdhëri i ndalimit vjen pas referimit të bërë nga Drejtoria Rajonale e AMP – së, në lidhje me ngjarjen kriminale të datës 30 tetor, në lagjen Dobraç të Shkodrës, ku persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit tip Benz S-Class, në të cilin udhëtonin shtetasit H. L., dhe A. B., si dhe një person tjeter i paidentifikuar.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 9090.
Për ankesa me Whatsapp 0694151511.