Komiteti Teknik i Ekspertëve është mbledhur këtë mesditë për të njoftuar masat e reja më shtrënguese kundër koronavirusit. Ishte vetë kryeministri Edi Rama, që një ditë më parë paralajmëroi shtrëngim të masave anti-Covid, për shkak të rritjes së shifrave javët e fundit.
Manastirliu: Jemi sot në një moment sa delikat, aq edhe të rëndësishëm. Ka dyshime të arsyeshme se kemi një qarkullim të mutacioneve të reja të virusit Covid-19. Jemi në një situatë ku me gjasë prej këtyre varianteve të reja kemi shtim të infeksioneve. Kushtet e dimrit e bëjnë edhe më të pafavorshme situatën. Kemi shtim të infektimeve, ulje të moshës së të prekurve. Kjo ka sjellë një shtim të ndjeshëm të misioneve të urgjencës kombëtare, misioneve në banesë. Kjo situatë në ditët e fundit është shoqëruar edhe me shtim të rasteve në spitale dhe rritje të pacientëve në terapi intensive.
Komiteti i Ekspertëve ka vlerësuar situatën dhe mbi bazën e një analize shumëplanëshe, ka vendosur ditën e sotme këto masa: ndalimi i qarkullimit nga ora 20:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, me përjashtim të urgjenca dhe punës. Kjo do të jetë për një periudhë 14 ditore. Kjo masë do të nisë nga dita e enjte. Shkollat e mesme në zonat e riskut të lartë, Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz do të aplikojnë mësimin online.
Masat kufizuese
– Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania) për një afat 14 ditor, duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
– Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery), duke filluar nga dita e enjte, datë 11 Shkurt – 25 Shkurt.
– Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme do të aplikojnë skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë, ku përfshihen bashkitë: Tiranë, Fier, Vlorë, Berat, Durrës, Gjirokastër, Lezhë, Lushnje, Pogradec dhe Kamëz, për periudhën 11 shkurt – 26 shkurt.
– Sezoni i provimeve për universitetin do të zgjatet, për të siguruar kombinimin e provimeve online dhe në auditor, për lëndët që kërkojnë prezencë, sipas vlerësimit të MASR, duke zbatuar rreptësisht protokollet AntiCovid.