Gjykata pezullon ekzekutimin e dënimit me burg të 26-vjeçares që u arrestua 8 ditë pas lindjes deri sa të shqyrtohet kërkesa tjetër për shlyerjen e gjobës. Seanca e ardhshme u la për më 14 prill ora 10:00.
Diana Bahçja, 26-vjeçarja që u arrestua 8 ditë pasi lindi foshnjën e saj për braktisje të vajzës nga martesa e parë doli sot para gjykatës. Ajo ka deklaruar se gjatë arrestimit i ka treguar policëve se kishte një fëmijë në gji, ndërsa ka folur dhe për vajzën.
“U thashë policëve që kam foshnjën me gji. Nuk e kam takuar fëmijën e parë prej 5 vitesh”, ka thënë nëna e re.
Ndërkohë mbrojtja kërkoi lirimin e menjëhershëm, me të cilin ishin dakord dhe prokurorët, por kërkuan shlyerjen e gjobës prej 2.5 mln lekësh të vjetra.