Në vijim të punës operacionale me fokus goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, kanë goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, për të cilin u arrestuan në flagrancë shtetasit Xhordan Cafi, 22 vjeç dhe Franc Marku, 22 vjeç.
Në Shirokë, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme kanë ndaluar për kontroll automjetin me drejtues shtetasin Xhordan Cafi dhe pasagjer shtetasin Franc Marku.
Gjatë kontrollit në automjet dhe kontrollit fizik ndaj këtyre 2 shtetasve, janë gjetur doza lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 1 peshore elektronike për ndarjen e kokainës në doza.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Xhordan Cafi, shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me sasinë e kokainës, peshoren elektronike dhe automjetin me të cilin u kapën në flagrancë 2 të arrestuarit.