Një operacion i Policisë së Shtetit ka sjellë goditjen e një tjetër grupi të strukturuar. Sipas informacioneve zyrtare të Policisë, gjatë operacionit u vunë në pranga 3 persona, ndërsa një tjetër u ndalua. Mësohet se personave më sipër, u janë kapur edhe 5 kilogram “mall”. Më poshtë, komunikata zyrtare e Policisë së Shtetit për operacionin.
Operacioni “Vollga”, goditet një grup që ushtronte aktivitetin kriminal në fushën e trafikimit të drogave të forta
Sekuestrohen lëndë narkotike, vlera monetare, automjete dhe aparate celularë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi disa mujor me metoda speciale kanë finalizuar operacionin e koduar “Vollga”.
Në kuadër të këtij operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës dhe Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas: B.D., A.T, dhe N.M. U ekzekutua gjithashtu, urdhri i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për ndalimin e shtetasit A. R.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në PSH, pas ndjekjes dhe mbajtjes nën vëzhgim, kapën në flagrancë në Tiranë 3 shtetasit me rreth 5 kg të dyshuar heroinë, si dhe sasi monetare, 3 automjete e disa telefona.
Vijon puna për dokumentimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”.