Me pasuri të vënë nga burime të ligjshme dhe të justifikuar dhe pasi ka kaluar testin profesional pas shqyrtimit të dosjeve, prokurorja e Apelit të Tiranës, Fatjona Memcaj, duket se do ta kalojë provimin e Vettingut. Sot, ajo u përball në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces rivlerësimi nga Alma Faskaj, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.
KPK e thërriti atë në seancë dëgjimore për të bërë mbrojtjen pas hetimit 6 mujor që u bë ndaj saj. KPK dhe saktësisht, Roland Ilia, theksoi se ajo rezulton me pasuri të justifikuar me burime të ligjshme, qoftë për apartamentin, qoftë për automjetin.
Ajo ka dy llogari bankare, që nuk konsideroheshin në shumë të mëdha. Ndërkohë që DSIK e ka certifikuar dhe ka deklaruar se është e përshtatshme për të vijuar detyrën.
Prokurorja Fatjona Memçaj ka qenë subjekt i deklarimit të pasurisë prej vitit 2003, kur mbante postin e prokurores së rrethit në Tiranë. Në vitin 2007, Memçaj ka punuar si drejtoreshë e Koordinimit Ligjor në Presidencë, detyrë të cilën e ka mbajtur deri në fund të vitit 2012. Më pas, Memçaj është emëruar drejtore kabineti në Prokurorinë e Përgjithshme dhe prej vitit 2013 mban pozicionin e prokurores së Apelit në Tiranë.
Paralelisht me punën në Prokurori, Memçaj është përfshirë edhe në mësimdhënie. Në vitin 2016 ajo ka qenë edhe eksperte e programit të trajnimit vazhdues në Shkollën e Magjistraturës.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurores Fatjona Memçaj nga viti 2003 deri në vitin 2016. [Kliko këtu për skedën në PDF]