Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme për kërkimet për shtetasen Shpresa Hasramaj, 48 vjeçe, që dyshohej se ishte vetëhedhur në një grykë (shpellë) në fshatin Meshqerraj, bëjmë me dije se mëngjesin e sotëm kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, forcat e RENEA-s dhe të FNSH Shkodër, me mjete më të specializuara.
Në kushte shumë të vështira, shërbimet e Policisë kanë mundur të hyjnë në vendin ku dyshohej se ishte vetëhedhur shtetasja Sh. H. dhe kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë dhe nxjerrjen e tij nga vendi ku ishte hedhur 48-vjeçarja.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për të sqaruar me detaje motivet e kësaj ngjarjeje.
Një ditë më parë policia e Shkodrës njoftoi se në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe, shtetasi G. H., banues në fshatin Meshqerraj, Njësia Administrative Gruemire , Malësi e Madhe, ka bërë kallëzim pasi bashkëshortja e tij, shtetasja Sh. H., 48 vjeçe është larguar nga banesa në orët e para të paradites së datës 24.12.2021 dhe nuk është kthyer më.
Duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe në bashkëpunim me Forcat Operacionale të DVP Shkodër, kanë nisur kërkimet për gjetjen e saj.
Si rezultat i informacioneve të marra në rrugë operative, dhe pas kontrollit në territorin e fshatit Meshqerraj në afërsi të një gryke (shpellë) janë gjetur telefoni i saj dhe një fletore. Dyshohet se kjo shtetase të jetë vetëhedhur në këtë grykë dhe për pasojë dyshohet se ka humbur jetën.
Për shkak të territorit shumë të vështirë nuk u bë e mundur gjetja e saj dhe kërkimet janë ndërprerë, pasi pritet që në vendin e ngjarjes, në orët e para të mëngjesit të mbërrijë edhe forcat e RENEAS dhe FNSH-së me mjete të specializuara për të bërë të mundur gjetjen e trupit të shtetases Sh. H.
Nga ana e grupit hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet për të sqaruar me detaje motivet e kësaj ngjarjeje.