Si rezultat i një pune të mirëfilltë hetimore, të kryer intensivisht nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, me qëllim zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale që përfshijnë djegien e disa automjeteve dhe vjedhjen e shumave të parave dhe sendeve personale, në 6 banesa në Vaun e Dejës dhe në Shkodër, të kryera gjatë vitit të fundit, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Polinomi”.
Në kuadër të operacionit u vunë në pranga shtetasit Rasim Gorrilla, 24 vjeç dhe Gerisjan Duli, 24 vjeç, të dy me detyrë ushtarë në Repartin e Këmbësorëve, banues në Vaun e Dejës, si dhe shtetasi Fatjon Jubani, 34 vjeç, banues në Shkodër. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit Amarildo Ndoj, 24 vjeç dhe K.D., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Nga hetimet rezuloi se këta shtetas, të organizuar si grup, dyshohet se kanë kryer këto ngjarje kriminale:
-më datë 18.11.2022, kanë djegur 3 automjete, në një servis automjetesh, ndërsa më datë 10.01.2023, kanë djegur 1 automjet, në fshatin Kaçë;
-gjatë periudhës shtator-nëntor 2023, kanë vjedhur shuma parash dhe sende personale, në 6 banesa, në Vaun e Dejës dhe në Shkodër.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një automjet që dyshohet se është përdorur nga këta shtetas, për të shkuar në vendngjarjet.
Vijon intensivisht puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe provuar ligjërisht ngjarje të tjera kriminale kundër pronës dhe pasurisë, që mund të kenë kryer këta shtetas.