Minuta tmerri kanë perjetuar klientët e një lokali të njohur në Pedonalen e Shkodrës por edhe kalimtarë të rastit në mbrëmjen e të enjes. Dy persona, me skafandra në kokë, të hipur në një motor, kanë ndaluar pranë një lokali mjaft të frekuentuar.
Ata mbanin në dorë një automatik, të cilin e kanë drejtuar nga lokali, ndërsa nuk dihet se kush mund të ketë qënë shenjestra e mundshme e tyre. Mesa duket, ata janë dekurajuar nga prania e klientëve të tjerë apo nuk kanë qenë të sigurtë se do të qëllonin shenjestrën e tyre.
Në këto rrethana, ata janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Si rregull, mbrëmjeve qarkullimi i mjeteve motorike në pedonale është i bllokuar, teksa policia e Shkodrës ka dhënë informacion zyrtar për këtë tentativë vrasje në Pedonale.
NJOFTIMI I POLICISË
Më datë 11.10.2024, në orën 09:30, shtetasi A. B., 32 vjeç, ka kallëzuar se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, persona të paidentifikuar që qarkullonin me një motomjet, i kanë drejtuar një send, në dukje armë zjarri, afër një lokali në pedonalen e Shkodrës.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore.
Nga veprimet paraprake të kryera dhe informacionet e marra në rrugë operative, paraprakisht dyshohet për dy shtetas, por për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit.