Apeli i GJKKO-së lë në burg Behar Bajrin, i cili u ekstradua nga Franca gjatë muajit nëntor.
Hetimet ndaj Bajrit dhe 14 të tjerëve të implikuar në dosjen “Metamorfoza” nisën që në vitin 2019, pas zbërthimit të aplikacioneve sekrete “Sky” dhe “EnkroChat” nga Franca dhe Belgjika, të cilat sollën të dhënat në Shqipëri.
Në këto komunikime, dilte se biznesmeni Pëllumb Gjoka pasi e liroi nga burgu nëpërmjet ryshfetit që i dha prokurorit Xhevahir Lita i kërkoi Behar Bajrit të vriste Keanth Musabelliun. Më pas Bajri shkëmbeu objektivin me Ervis Martinajn dhe për llogari të tij vrau Gjon Boriçin. Emri i tij del edhe si porositës i vrasjes së Ibrahim Licit, Dorian Dulit dhe Genc Tafilit, krime të cilat nuk ndodhën.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 04.01.2024, ora 10:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 60 akti, datë 26.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim B.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 94, datë 23.07.2023 dhe vendimit nr. 126, datë 17.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
-Miratimin e vendimit nr. 94, datë 23.07.2023 dhe të vendimit nr. 126, datë 17.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në lidhje me të hetuarin B.B.