KF Vllaznia ka bërë me dije se ndeshja e planifikuar për sot në orën 17.00 me Laçin në “Loro Boriçi”, është anuluar. Njoftimi për anulimin ka ardhur nga FSHF për klubin kuqeblu.
Vendimi është marrë pasi është mësuar se futbollisti Rafael Duamena ka humbur jetën në spitalin e Kavasjës, pasi ra pa ndjenja në fushën e lojës në ndeshjen Egnatia- Partizani.
Përveç ndeshjen në Shkodër, është anuluar edhe ajo në Korçë mes Skenderbeut dhe Teutës, ndërsa ndeshja e Rrogozhinës, u ndërpre në minutën e 45- të.
NJOFTIMI I FSHF
Federata Shqiptare e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për tragjedinë e ndodhur sot gjatë ndeshjes së javës së 13-të të “Abissnet Superiore”, Egnatia-Partizani.
Futbollisti Raphael Dwamena ka humbur ndjenjat gjatë ndeshjes dhe pas ndërhyrjes së parë të mjekëve në fushën e lojës është transportuar me ambulancë për në spital.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve specialistë dhe të gjitha përpjekjeve të mëpasshme për ta rikthyer në jetë, futbollisti për fat të keq ka ndërruar jetë.
FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dwamena dhe klubit të Egnatias për këtë humbje të madhe dhe ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar.
Federata e Futbollit bën me dije se të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri do të shtyhen në një moment të dytë.