Që prej fillimit të sezonit turistik veror, shpesh në rrjete sociale janë publikuar fatura të larta të ushqimeve në restorantet e bregdetit, kryesisht në jug të vendit.
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24 tha se nuk ka rëndësi sa e madhe është fatura, mjafton që bizneset e japin kuponin dhe paguajnë taksën ndaj shtetit.
Sipas tij, këto fenomene ndodhin dhe në botë duke e krahasuar me restorantet ku shkojnë futbollistët e njohur Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi. Gjithashtu ai thotë se qytetarët duhet të zgjedhin lokalet apo restorantet sipas buxhetit që ata kanë.
“Ajo që është e rëndësishme është që të ketë faturë. Më vjen mirë që turistët e fotografojnë dhe e publikojnë faturën sado e madhe të jetë. Nga ajo faturë, taksa shkon në buxhetin e shtetit. Nuk është shqetësim një lokal që është i shtrenjtë. A ka ofertë? Mendoj se ka ofertë në vendin tonë. Gjithsecili zgjedh ofertën që kërkon. Sado që them unë, kjo ndodh dhe në botë. I kemi parë faturat, shkoi Ronaldo këtu dhe Mesi atje e harxhuan kaq lek. Është pjesë e PR që bëjnë lokalet.
Ka një grup shoqëror që zgjedhin më të shtrenjtët. Kërkesa ime për pushuesit është që të gënjehen nga ato që shohin në portale. Në një bregdet kemi 6-7 lokale, mos zgjidhni lokalin më të shtrenjtë. Ne nuk duhet të luftojmë që të jemi një treg i lirë. Me çfarë do ngrihet industria nëse është i lirë. Mjafton të ketë faturë, të paguhet taksa” – tha Klosi.