Menjëherë pasi kanë mbërritur në Shqipëri, tre shqiptarët që u dhunuan në Malin e Zi u dërguan në spitalin rajonal të Shkodrës. Për tri orë janë ekzaminuar nga mjekët e spitalit të Shkodrës ndërsa ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Mjeku i urgjencës Astrit Lahi tregon se dy prej tyre që kanë patur dëmtime më të mëdha mbërritën në orën 6:00 të mëngjesit në spital me dëmtime të konsiderueshme në kokë dhe trup.
Pasi janë kryer të gjitha kontrollet, janë larguar nga spitali rreth orës 9:00 pasi nuk kanë shfaqur probleme që mund t’i rrezikonin jetën.
Njëri prej të dëmtuarve ka një plagë të sy, ka një traumë por është ekzaminuar nga okulisti dhe nuk rezulton me dëmtime të thella që mund të rrezikojnë shikimin.
Dy prej tre personave të dhunuar shoqëroheshin nga familjarë dhe të afërm gjatë qëndrimit të spital por edhe forca policie derisa janë larguar duke mos patur probleme të rënda shëndetësore.
Njëri prej shqiptarëve të dhunuar në Malin e Zi, Klodian Meaj nga njësia Postribë në Shkodër ka dhënë një dëshmi në policinë shqiptare.
Shkodrani ka treguar disa detaje më shumë se si ka ndodhur ngjarja duke rrëfyer se kanë patur një flamur shqiptar në pasqyrën e automjetit me të cilin po udhëtonin.
Sipas tij dyshimet kryesore janë se dhunimi ndaj prej shtetasve malazez tashmë të identifikuar ka ardhur për shkak të atij flamuri.
“Ne ishim ulur nga trageti dhe morëm makinën tonë. Vijuam rrugën pa probleme deri në qytetin e Malit të Zi Herceg Novi. Aty për një moment ndaluam sepse kishim një problem me makinën. Sapo kemi ndaluar një grup personash kanë ardhur dhe kanë goditur automjetin në të cilin ndodheshin. Dolëm jashtë sepse nuk po kuptonim çfarë po ndodhte dhe na goditën edhe ne duke na dhunuar fizikisht pa asnjë shkak dhe pa asnjë arsye. Ne ishim duke komunikuar më zë fare të ulët brenda makinës dhe nuk kishte asnjë shkak, asnjë provokim nga ana jonë. Sapo dolëm nga makina na goditën edhe ne dhe më pas u larguan. Unë në automjet kam një flamur shqiptar në pasqyrë, është një flamur i vogël. Nuk e di nëse është kjo arsyeja pasi automjeti është me targa gjermane dhe jo shqiptare. Ne kemi dhënë deklarimet tona për policinë malazeze pasi nuk kishte asnjë arsye për të na dhunuar në atë mënyrë. Kemi marrë disa mjekime në një spital të Malit të Zi dhe pas deklarimeve kemi ardhur me dëshirë drejt Shqipërisë. Unë dua të falenderoj shumë shtetin shqiptar. Kam një falenderim për ministrin e Brendshëm Taulant Balla i cili na ka mbështetur shumë. Po ashtu falenderoj Ambasadën shqiptare në Malin e Zi e cila na ka mbështetur në çdo moment, policinë shqiptare që na u gjend afër dhe na shoqëroi si dhe spitalin e Shkodrës për gatishmërinë. Ajo që ne kemi kërkuar është që të zbardhet ngjarja dhe autorët të vihen përpara përgjegjësisë”, tha deklaruar Meaj.