Është e pamundur që të kesh një mjeke në familje (në të voglën e të madhen, përtej familjarëve të shtëpisë tënde) dhe mos t’i ngelen të gjitha ‘hallet’ asaj. Kështu ka shkuar thuajse e gjithë jeta e mjekes obstetre-gjinekologe Marika Gjini.
Mbesa e saj nuk pyeti fare nëse e gjyshja kishte dalë në pension, e kishte mbledhur mendjen që do ta sillte fëmijën në jetë me të. Nga ana tjetër, edhe Marika nuk është ndier asnjëherë rehat nëse i linte punët në dorë të të tjerëve. Jo se nuk kishte besim, por nuk kishte aq besim sa te duart e saj.
Sa herë që kolegët çuditeshin me guximin e saj kur merrte përsipër të bënte lindjes e së bijës, ua kthente: “Epo, sa u besoj duarve të mia, nuk ju besoj juve!”. Edhe sot, që u bënë shumë vite që ka dalë në pension, Marika është në gjendje që të marrë përsipër shtatzënitë e familjarëve të afërt të saj.
Mbase, ata ca më të largëtit edhe mërziten, por as ajo nuk ka më energjinë e dikurshme, kur mundësonte shtatzënitë e sa e sa nuseve të reja që kërkonin vetëm emrin e saj, sapo hynin te materniteti “Mbretëresha Geraldinë”.
Marika punoi aty që prej diplomimit e deri në ditën e pensionit. Dhe diplomimi i saj nuk ishte krejt si i të tjerëve. Marika Gjini, për të përfunduar studimet e larta në mjekësi, nuk pati vetëm vështirësinë e degës, por edhe atë të familjes.
Ajo nuk e vijoi fakultetin menjëherë pas gjimnazit. Kishte mbaruar këtë të fundit e më pas shkollën e mamive dhe ishte martuar. Banonte në Shkodër me bashkëshortin e saj ushtarak, Nikoll Gjini, dhe dy fëmijët. Mirëpo, ishte e vendosur që asgjë nuk do ta mbante përfundimisht larg nga studimet e larta.
Ajo, gjysmën e rrugës e kishte bërë…ende edhe sot Marika është e bindur se ka marrë më shumë përvojë e ka mësuar nga mamitë që kishin studiuar në Itali, se nga gjithë leksionet që mësoi në shkollë. Nuk është nevoja të thuhet se kur errej e kur zbardhej për të gjatë atyre viteve… Arriti që të përfundojë studimet në mjekësi, ndërkohë që fëmijët rriteshin paralelisht.
“Arrita të përfundoj aq mirë studimet e larta dhe specializimin si mjeke obstetre-gjinekologe sa që më emëruan menjëherë në maternitetin e Tiranës. Prej asaj kohe nuk lëviza më asnjëherë prej aty”. Për mbarëvajtjen e punës flasin vitet e saj dhe të gjithë atyre nënave që ka ndihmuar, kështu që në këtë takim që Marika nuk e pranoi edhe aq lehtësisht, folëm për problemet e kohës, krahasuar me ato të tanishmet, kur numri i lindjeve ka rënë ndjeshëm dhe steriliteti është shtuar.
Megjithëse prej vitesh në pension, ju jeni patjetër në dijeni të situatës aktuale të lindjes së fëmijëve. Si është në raport me të kaluarën dhe ç’ndikon në rënien e numrit të lindjeve?
Së pari, duhet të them që jeta në përgjithësi është më e pasigurt, kështu që përpjekjet për t’ia dalë janë më të mëdha, u marrin njerëzve, tashmë pa dallim mes meshkujve e femrave, të gjithë kohën. Në këtë kuptim, nuk mund t’i bësh të gjitha! O do punosh për të mbijetuar, o do të krijosh familje e rrisësh fëmijë. Ky është vetëm një aspekt, një pjesë tjetër e femrave ndjekin karrierën dhe jeta private, në të tilla raste, nuk funksionon dhe aq mirë. Kujtohen për t’u martuar e bërë fëmijë në moshë të madhe, ndërkohë që gjërat janë vështirësuar edhe steriliteti është rritur.
Fekondimi artificial të lejojnë edhe pak karrierë, apo jo? Atëherë nuk ishin…
Jo, atëherë nuk kanë qenë fekondimet artificiale, por vetëm mjekime të ndryshme, që nëna merrte paraprakisht për të lehtësuar shtatzëninë.
Si ishin mjekimet e atëhershme krahasuar me ato tani? Gratë mjekohen për kohë të tëra dhe shpesh nuk kanë rezultatin që kërkojnë…
Këtë e them me bindje që nuk krahasohen me ato që kemi përdorur ne, çfarëdo që të thonë. Rezultatet e tregojnë vetë.
Abortet, si ishin e si kanë qenë?
Tani as që nuk merret vesh se sa shumë abortojnë, ku e si abortojnë. Që nga vajzat fare të reja e deri te nënat që nuk kujdesen. Edhe atëherë kishte aborte, s’mund të them të kundërtën, por arsyeja e vetme ishte varfëria ekstreme. Një familje me 5 fëmijë, për shembull, nuk e kishte të lehtë të priste edhe një të gjashtë. Abortet e provokuara vinin përditë edhe atëherë.
Si ishin rastet? Si i provokonin?
Në mënyra nga më çnjerëzoret. Njerëzit dikur nuk kujdeseshin për shëndetin aq sa sot. Gjërat kanë ndryshuar shumë, në të gjitha pikëpamjet. Nëna nuk mendonte për veten, donte si e si mos të sillte në jetë fëmijën. Bënin provokime të shtatzënisë me shtiza, me dru, me ç’të gjenin, si e si të arrinin qëllimin që kishin. Ndonjëherë, gjendja përkeqësohej shumë, por nga ana tjetër ato e dinin që aborti nuk ishte i lejuar dhe vetëm ashtu mund ta arrinin.
Ngjan pak e çuditshme që në këtë atmosferë që tregoni, të vinin për vizitë a për të lindur edhe nuset, fëmijët a vetë gratë e ish-Bllokut.
Megjithatë, aty vinin të gjitha, nuk kishin ku shkonin tjetër. Sigurisht që ato kishin trajtime të posaçme, mjekët më të mirë që kishim dhe të gjithë stafin në dispozicion.
Na tregoni disa nga emrat që kanë ardhur, ndërsa ju keni qenë në punë..
Të gjitha, pa përjashtim, që nga nuset e Enverit e të të tjerëve më poshtë. E vetmja që nuk ka ardhur për të lindur aty ka qenë Pranvera Hoxha, ajo ka shkuar për të lindur jashtë për shkak të një komplikacioni tjetër që kishte.
Si ishte atmosfera përpara se ndonjëra prej tyre të vinte? Merreshin masa për të gjithë?
Patjetër! Sado që ato kishin mjekët e tyre, ne të gjithë angazhoheshim, gjithçka ishte si duhet të ishte. Të gjitha, pas lindjeve, shpërndanin ëmbëlsira për të gjithë. Sigurisht që mjekët që ishin marrë drejtpërdrejt merrnin duhura ta të posaçme, ndërsa pjesës tjetër i tërhiqej vëmendje, edhe vetëm pse pranonte karamelet.
Po ju keni pasur raste të ndërlikuara gjatë viteve të punës?
Raste ka nga më të shumtat dhe në këtë aspekt njëri nuk i ngjan tjetrit, megjithatë rastet e suksesshme kanë qenë aq shumë sa një farë kohe u kthye në barsoletë në spital. Kolegët thoshin mes tyre se doktoreshë Marika i lë gratë shtatzënë. Sigurisht, që ne qeshnim me këtë, por rezultati ishte real. Unë kisha mënyrat e mia dhe ende sot kam paciente që më falënderojnë e më telefonojnë.
30 vitet te materniteti “Geraldinë”/ Kontributi i Mbretëreshës Geraldinë në krijimin e spitalit me emrin e saj
Mbretëresha Geraldinë me të birin
Mbretëresha Geraldinë rrjedh nga një familje shumë e njohur hungareze. Të gjithë paraardhësit e familjes Appony kanë pasur karrierë shumë të suksesshme politike dhe kanë mbuluar detyra nga më të rëndësishmet shtetërore në Perandorinë Austriake, në të cilën kanë gëzuar tituj të rëndësishëm fisnikërie, sikundër: baron, kont, etj.. Ajo ishte e bija e kontit Gyula Appony dhe e konteshës Glayds Virginia Stewart, e cila ishte një shtetase amerikane shumë e pasur nga shteti i Marylendit, babai i së cilës ka qenë emëruar si Konsull i Përgjithshëm i Amerikës në Hollandë. Përveç vajzës së madhe Geraldinë, çifti Appony kishte edhe një vajzë tjetër të quajtur Virxhinia, si dhe një djalë të quajtur Xhula.
Pas vdekjes së gjyshes së tyre, për Geraldinën dhe motrën e saj Virxhinia, u kujdes e motra e babait të tyre, kontesha Fanny Karolyi, e cila zotëronte një nga kështjellat më të famshme dhe më të bukura të Hungarisë në Zebegeny. Vajzat që kalonin verën në kështjellën e Zebegeny-it, kishin marrë nga një emër luleje. Për shkak të bukurisë së saj dhe bardhësisë natyrale të lëkurës dhe veshjes me rroba po të së njëjtës ngjyrë, Geraldina u quajt m “Trëndafili i Bardhë i Hungarisë”.
Mbretëresha e shqiptarëve, Geraldina, gjatë periudhës së shkurtër të qëndrimit në Shqipëri, u impenjua maksimalisht për rritjen e mirëqenies së popullit shqiptar, sidomos të shtresave në nevojë. Kontribuoi për ngritjen dhe funksionimin e institucioneve në shërbim të shtresave në nevojë, si spitalet, azilet dhe jetimoret. Vizitat e shpeshta që bënte në këto ambiente, ishin vizita pune për të.
Ajo u angazhua edhe për promovimin dhe jetësimin e të drejtave të grave, si dhe për mundësitë e emancipimit të tyre. Punoi shumë për të ndihmuar në përmirësimin e shërbimit spitalor në Shqipëri dhe dha një ndihmesë të madhe për ngritjen dhe funksionimin e Spitalit Ushtarak në Tiranë. Ajo solli nga Austria mjekë shumë të mirë për drejtimin e Spitalit Ushtarak. Mbretëresha nxiti ngritjen dhe më pas themeloi Maternitetin e parë shqiptar, në Tiranë.
Një nga projektet që mbahet mend edhe nga bashkëkohës të asaj periudhe, është mobilizimi dhe ngritja e fushëveprimit të Kryqit të Kuq Shqiptar. Mbretëresha Geraldinë mundësoi hapjen e edicionit të parë emetues radiofonik, në Radio Tirana. Prioritet i punës së saj ishte emancipimi i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, për ngritjen e vetëdijes së saj dhe në veçanti emancipimi i pjesës rurale të popullsisë. Përveç përkushtimit të saj në të mirë të popullit shqiptar, Mbretëresha Geraldinë gjente kohë të përkujdesej për mbarëvajtjen e familjes së saj, sikundër ishte ndikimi për një edukim sa më cilësor të trashëgimtarit të Fronit Mbretëror.
Historia e krijimit të spitalit
Reparti i parë i Maternitetit në Tiranë është inauguruar më 7 maj 1937 pranë spitalit civil “Zogu I”. Ky repart merrte përsipër të realizonte edhe funksione të shërbimit për lindjet operative dhe ndërhyrjet kirurgjikale.
Ndërtimi i themeleve të “Shtëpisë së Nanës dhe Fëmis” (OMNI- Opera Nazionale di Maternita e Infanzia), ka filluar në fund të vitit 1938, nga firma italiane “Motta Scandurra” dhe u ndërtua në një kohë rekord për kohën.
Punimet përfunduan në fund të nëntorit të vitit 1942. Spitali Universitar ObstetrikGjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” ka funksionuar si shtëpi lindje që nga viti 1940, por vetëm në dt. 28.11.1942 doli zyrtarisht urdhri nga Ministria e Financave e asaj kohe.
Drejtuesi i parë i këtij institucioni si obstetër i Spitalit Civil “Zogu I” ishte prof. Giussepe Gerrassi, i ardhur në Shqipëri në fund të viteve ’30.
Kirurgët e parë që punuan edhe si obstetër ishin: Veneziano Lozzi, Jani Basho, Frederik Shiroka, Spiro Treska etj.
Universiteti i Tiranës filloi zyrtarisht aktivitetin në vitin 1952, ndërsa Fakulteti i Mjekësisë u përfshi në këtë strukturë pak më vonë. Në këtë periudhë, spitali funksiononte si Strukturë Universitare për lëndën e Obstetrikë – Gjinekologjisë dhe u quajt Materniteti Nr.1.
Në dt. 08.12.2004, me urdhër nga Ministria e Shëndetësisë, i vihet emri Spitali Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, emër që mban dhe sot.
Aktualisht, Spitali Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” është spital i nivelit të tretë, ku në bazë të një koordinimi drejtuar nga Ministria e Shëndetësisë, referohen raste të ndërlikuara ardhur nga gjysma e shërbimeve dytësore të vendit. /ANI JAUPAJ/