Nëse ka futbollist në Shqipëri që personifikohet si “njeriu i penalltive”, ai është pikërisht Ramazan Rragami. Ndoshta nisur nga 7 penalltitë e famshme të finales së Kupës në vitin 1972 ndaj Besës, si rrjedhojë e të cilave thuhet se edhe UEFA vendosi të ndryshonte rregullin e gjuajtjes së tyre nga i njëjti futbollist.
Konsiderohet i tillë ndoshta edhe gjatë gjithë karrierës së tij vështirë të ketë humbur ndonjë 11-metërsh e prandaj merret si shembulli i përsosmërisë.
Por profesor Zani për momentin “me topin në duar”, po mundohet të shënojë “penalltinë e jetës”. Gjendja e tij shëndetësore prej disa muajsh nuk është aspak e mirë dhe si rrjedhojë, po përpiqet ta sfidojë sëmundjen e tij, ndonëse duket shumë e vështirë.
Ne jemi të bindur se ashtu siç ka shënuar gjithmonë dhe i ka mposhtuar kundërshtarët në fushë, do ta mposhtë edhe këtë herë sfidantin më të vështirë, sëmundjen e rëndë.
Unë kam patur fatin për shumë vite të jem pranë tij dhe e kam parasysh karakterin e fortë që e karakterizonte profesor Zanin, për të cilin nuk kishte betejë që nuk do fitohej.
I pat arritur qoftë si futbollist, si trajner, por edhe si drejtues. Ka qenë gjithmonë triumfues ndaj çdolloj vështirësie që i ka dalë përpara dhe me siguri që edhe këtë herë do ia dalë. Ne të gjithë jemi me të. Të bindur se Ramazan Rragami do ta realizojë edhe “penalltinë e jetës” dhe do të triumfojë edhe njëherë tjetër. /Nga Gjergj KOLA/