Kishte premtuar se do të ishte i pranishëm në jetën artistike të Shkodrës dhe e mbajti fjalën. Mjeshtri i Madh Sandër Ruçi po punon intensivisht për vënien në skenë të premierës së rradhës, akoma pa u mbushur një vit nga shfaqja e fundit. Prej 14- vitesh në mes Amerikës dhe Shqipërisë, por shpirtërisht gjithmonë në Shkodër, Sandri e ka përgatitur çdo gjë vetë duke u paraqitur në disa profile aktor, prezantues, regjisor dhe producent. Me pasionin që e karakterizon për artin, për skenën, ai nuk kursehet as në tavolinë me batutat e humorin e tij, duke na dhënë pak indicie mbi shfaqjen e tij të re.
Janë 11 materiale të krijuara nga ai vetë, humor por edhe mundësi reflektimi përmes të qeshurave që të fusin në mendime. Do të jetë një shfaqje e “kopsitur”, ku do të ketë gërshëtim në mes të rinjëve dhe atyre tashmë me përvojë. Bashkëpunëtorët e kësaj stand-up comedy i ka zgjedhur me shumë kujdes, edhe si specialist i shijeve tl spektatorëve dhe telespektatorëve.
E ka nisur gjithçka i vetëm, “me forcat e tij” siç i pelqen edhe ta përsërisë. Por është falenderues edhe për mbështetjen e menjëhershme që ka gjetur nga Bashkia e Shkodrës për sallën e “Migjenit” me 19 dhe 20 shtator 2018, ora 19.00. “Pa ardhur në Shkodër, nga Amerika kam gjetur menjëherë përkrahjen e Bashkisë për të marrë sallën dhe është një ndihmë mjaft e madhe”, thotë Sandi. Shpresojmë dhe urojmë që dashamirës të artit ti afrohen për ndonjë sponsorizim të vogël, edhe pse ai thotë se do të ishte i kënaqur nëse do ia arrinte të dilte “jek e jek” sepse është një shfaqje luksi, me elementë moderne.
Sandi nuk zbulon më shumë. Dielli që nuk e besidis aspak, nuk e pengon të vijojë punën përgatitore. Sot kishte planifikuar disa regjistrime… Por nuk po ju themi më shumë. 19 shtatori është shumë afër dhe si gjithmonë Sandër Ruçi premton të lërë gjurmë. Siç ndodhi edhe para një viti apo thuasje çdo vit, që ai është rikthyer me një premierë në Shkodrën e tij. /ShkodraWeb/