Këshilli Bashkiak i Kukësit ka reaguar pas protestës së djeshme të zhvilluar kundër tarifës së Rrugës së Kombit. Ky këshill ka paraqitur një deklaratë me 5 pika ku kërkon kryesisht lirimin e banorëve të arrestuar gjatë protestës.
“Ngjarjet e ditës së djeshme të ndikuara nga rrethana të bëra të njohura para fillimit të protestës degjeneruan në akte të dhunshme. Si rrjedhojë situata doli jashtë kontrolli. Distancohemi nga çdo akt dhune. Ne anëtarët e Këshillit Bashkiak kërkojmë: 1-lirimin e të gjithë të ndaluarve nga forcat e rendit; 2- ndalimin e arrestimeve të mëtejshme; 3-largimin e forcave speciale nga Kukësi të cilat janë munduar të ushtrojnë terror gjatë arrestimeve; 4-deklarojmë se tarifa për Rrugën e Kombit është e panegociueshme; 5-çdo tentativë për negociata nuk merret në konsideratë deri në lirimin e të arrestuearve,” shkruhet në deklaratë.